Kushtetuesja nis procesin, Dvorani pa mandat që në 2014

458

Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike për të larguar nga detyra anëtarin e Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.
PD kërkoi në Kushtetuese për të hequr një nen të ligjit të Gjykatës së Lartë, sipas të cilit një anëtar largohet nga detyra vetëm pasi është zëvendësuar. “Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjektet e interesuara, në mbështetje të neneve 131/a dhe 134/1/c të Kushtetutës, si dhe të Ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, njëzëri vendosi pranimin e kërkesës”, thuhet në një njoftim të djeshëm të gjykatës. Padia e PD-së në këtë gjykatë u bë në prill të këtij viti, pas refuzimit nga ana e mazhorancës të 7 dekreteve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ku shkak i këtij ngërçi institucional ishte gjyqtari Ardian Dvorani, të cilit edhe pse i ka mbaruar mandati më 17 shkurt 2014, ai vijon ta ushtrojë detyrën e tij. Në padinë e tyre në Kushtetuese, PD argumenton se kjo situatë ka sjellë pasojën antikushtetuese që për këtë anëtar të Gjykatës së Lartë, mandati kushtetues nga 9 vjet të shndërrohet me ligj në 11 vjet apo më shumë. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, të cilëve u mbaron mandati duhet ta lenë menjëherë detyrën edhe nëse vendi mbetet për disa kohë vakant. Vendimi është dhënë nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka shpallur si antikushtetues procedurën e ndjekur prej vitesh sipas nenit 5, paragrafi tre, të Ligjit 8588, me të cilin gjyqtarët qëndronin në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit të tyre. Për padinë e saj, opozita mori shkas nga moszëvendësimi prej dy vitesh i gjyqtarit Ardian Dvorani, i cili ushtronte detyrën dhe pse i kishte mbaruar mandati. Ndërkohë ish-anëtari i kësaj gjykate Ardian Nuni nuk pranoi të ushtronte detyrën, por u largua menjëherë sapo afati i qëndrimit të tij në detyrë përfundoi. Kërkesa u depozitua në gjykatë, më 3 maj 2016, ku 1/5 e deputetëve të opozitës kërkuan shpalljen antikushtetues të nenit që i jepte të drejtë gjyqtarëve të ushtronin mandatin e tyre deri në zgjedhjen e pasardhësit. Me këtë vendim numri i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë shkon në 4.

Kush është Dvorani?

I keqpërdoruri i Ramës në Gjykatën e Lartë, gjykatësi Ardian Dvorani vazhdon të ushtrojë mandatin si gjyqtar në këtë institucion megjithëse atij i ka mbaruar mandati. Procedurat për të zgjedhur një gjyqtar tjetër në vend të Dvoranit janë bllokuar politikisht nga Rama në Parlament, sepse atij i duhet ky individ në Gjykatën e Lartë. Dvorani i duhet sepse është njeriu që i ushtron presion gjyqtarëve në emër të Ramës për të marrë vendimet sipas interesave politike dhe financiare të shefit në qeveri. Sot për sot Dvorani është realisht kryetari de fakto i Gjykatës së Lartë, i cili ka autoritetin mbi të gjithë trupën tjetër të gjyqtarëve.
Më 10 mars të vitit të kaluar, Presidenti Nishani firmosi një dekret për emërimin e Alaudin Malajt si anëtar i Gjykatës së Lartë për të zëvendësuar Ardian Dvoranin, mandati i të cilit kishte përfunduar prej kohësh. Ky dekret i Presidentit u hodh poshtë nga Parlamenti vetëm me votat e socialistëve. Refuzimi për të miratuar kandidaturën e gjyqtarit Malaj erdhi vetëm për të mbrojtur Dvoranin. Rama nuk mund të votonte në Kuvend në favor të një gjyqtari që ishte jashtë gardhit të tij dhe të largonte veglën e vet nga Gjykata Kushtetuese. Rasti flagrant i keqpërdorimit të Dvoranit nga Rama ishte ai i lirimit nga akuzat për dhunë në Parlament të dy deputetëve banditë të Ramës, Ndoka dhe Ndreu. Argumenti i Gjykatës së Lartë ishte më shumë se qesharak dhe gjyqtarët vendosën vetëm nën diktatin e këtij individi. Dvorani është i njohur si një aparatçik i PS dhe me lidhje familjare me kreun e Komisionit të Ligjeve dhe të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj. Ai ka qenë drejtor Kodifikimi në Ministrinë e Drejtësisë gjatë kohës që këtë ministri e ka drejtuar Fatmir Xhafaj. Ndërkohë, Dvorani ka edhe lidhje familjare të afërta me Fatmir Xhafajn, mes të cilëve qëndron edhe një funksionar tjetër i lartë i një tjetër gjykate. Për shërbimet ndaj Ramës, ky i fundit e emëroi bashkëshorten e Dvoranit pak muaj më parë në krye të kompanisë shtetërore të siguracioneve, INSIG. Ky ishte shpërblimi që Rama i ka dhënë të besuarit të tij në Gjykatën e Lartë edhe për qëndrimet që ka mbajtur ndaj ish-Kryeministrit Berisha dhe kreut të sotëm të opozitës Basha, për të cilët ka kërkuar hetim dhe gjykim për çështje që kurrë nuk kanë qenë në shkelje të ligjit. Shumëpak e njohin profilin politik të Dvoranit. Në të vërtetë, ai është një kamikaz i betuar i Ramës, i cili nuk ka asnjë lidhje me pavarësinë e gjykatave dhe të gjyqësorit. Ndonëse kryetari i Gjykatës së Lartë me letra është një gjykatës i respektuar si Zaganjori, për gjykatësit që punojnë në këtë gjykatë, kryetar gjykate është pikërisht kamikazi i Ramës, Dvorani.

Dvorani edhe konsulent në Reformën në Drejtësi

Ardian Dvorani është sërish i përzgjedhuri i Ramës edhe për Reformën në Drejtësi, duke qenë një konsulent i kësaj reforme. Është e kuptueshme se çfarë konsulenti mund të jetë ky kamikaz politik, i cili merr urdhra direkte nga Rama. Ai është vetëm zbatues i këtyre urdhrave. Habia më e madhe e Komisionit është se jo vetëm ka një kryetar si Fatmir Xhafa që ka dy vota, por në të njëjtën kohë ka edhe konsulent një familjar të vetin si Ardian Dvorani. Kjo ishte reforma që Rama kërkonte që ta mbyllte menjëherë dhe pa opozitën, duke pasur në Komision vetëm njerëzit e tij të besuar në këtë proces, qëllimi i të cilëve është të bëjnë një reformë tërësisht politike dhe për t’i kthyer të gjitha gjykatat në shërbim të Partisë-shtet. Qëllimi i Ramës në këtë komision nuk është që të bëjë një reformë të standardeve europiane në drejtësi. Kemi të bëjmë me një Komision që sikurse u shpreh deputetja Dade do të synojë që të hartojë ligjet për të burgosur opozitën. Ky është qëllimi i Ramës ndaj dhe në Komision militojnë njerëz si Dvorani.