Kapja e drejtësisë prelud i dominimit monist të Kuvendit

273

Kastriot ISLAMI

Është tashmë e qartë për të gjithë, shqiptarë e ndërkombëtarë, se Rama lëkundet mes dy opsioneve i) ose të minojë Reformën e Drejtësisë duke akuzuar te ndërkombëtarët opozitën dhe Metën, ii) ose të kapë drejtësinë duke kërcënuar opozitën, Metën dhe të gjithë kundërshtarët me referendum e zgjedhje të parakohshme. Pasi opozita ka bërë të gjithë korrigjimet e mundshme në draftet e njëanshme të Ramës dhe ka toleruar gjithçka që mund të pranohej duke respektuar sugjerimet e Komisionit të Venecias, gjithçka është bllokuar te mënyra e emërimit në 4 komisione të rëndësishme: i) dy komisionet e vetingut apo të “radiografisë/skanerit” të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ii) Këshillit të Lartë të Drejtësisë për emërimin e të gjithë gjyqtarëve dhe iii) Këshillit të Lartë të Prokurorisë për emërimin e të gjithë prokurorëve. Rama insiston në një votim me 3/5 ose 2/3 që së bashku me mënyrën e propozimit dhe mekanizmin e zhbllokimit nëse s’arrihet me 3/5 apo 2/3 të bëhen emërimet, sepse kështu kontrollon këto katër komisione ose e thënë ndryshe kështu arrin të realizojë kapjen e drejtësisë dhe vendosë nën kontroll të gjithë sistemin e reformuar të drejtësisë. Opozita dhe Meta insistojnë për i) miratimin e reformës me konsensus, me pjesëmarrje të opozitës; ii) respektimin e paragrafit 88 të raportit final të Komisionit të Venecias; iv) heqjen dorë nga kërcënimet për trafik deputetësh dhe referendum. Për të qartësuar qëndrimin e Ramës përballë atij të opozitës më poshtë jepen përgjigjet e disa pyetjeve të natyrshme që bëjnë qytetarët e eventualisht edhe ndërkombëtarët.
Pyetje 1: Përse opozita kërkon respektimin e paragrafit 88 të raportit të Komisionit të Venecias mbi “përfaqësimin proporcional” në institucionet e drejtësisë ose e thënë ndryshe të ketë aq për qind të vendeve në institucionet e drejtësisë sa për qind mandate ka në Kuvend? Përse të mos merren vendimet për emërimin e anëtarëve në institucionet e drejtësisë me 3/5 apo 2/3 e votave të Kuvendit siç insiston Rama?
Kuvendi është trupë politike e gjithnjë merr vetëm vendime me natyrë politike përderisa përbërja e tij është politike dhe forcat politike janë përfaqësuese të interesave të ndryshme politike të qytetarëve, të detyruara të paraqesin dhe marrin vendime sipas interesave të tyre. Nëse vendimet do të merreshin me 3/5 apo me 2/3 e votave të Kuvendit atëherë Rama do të arrinte të merrte 100 për qind të anëtarëve në institucionet e drejtësisë dhe opozita do të kishte zero anëtarë. Ose më konkretisht në rastin e 5 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që vendosen nga Kuvendi, Rama do të merrte 5 anëtarë dhe opozita zero anëtarë. Opozita duke kërkuar respektimin e “parimit të proporcionalitetit” të sugjeruar nga Komisioni i Venecias kërkon që mazhoranca dhe opozita të jenë prezente në institucionet e drejtësisë me numër proporcional me vendet në Kuvend. Pra, pyetja/çështja që shtrohet është: si është më mirë, institucionet e drejtësisë të kontrollohen 100 për qind nga Rama apo përbërja e tyre të jetë e njëjtë me atë të Kuvendit, pra si duhet bërë zgjedhja mes këtyre dy opsioneve? Sigurisht që qytetarët në pluralizëm kërkojnë të jenë të përfaqësuar edhe në institucionet e drejtësisë proporcionalisht me përfaqësimin në Kuvend, pra ashtu siç e kanë dhënë votën për Kuvendin dhe s’do të ishin asnjëherë dakord që ato të kontrolloheshin tërësisht nga një forcë politike dhe aq më pak nga një individ, pra Rama.
Pyetje 2: Nëse mazhoranca e opozita ndajnë vendet në institucionet e drejtësisë proporcionalisht me numrin e deputetëve në Kuvend, në ç’mënyrë do të mund të mbrohej interesi publik?
Kjo është një pyetje interesante, por që do të kishte më shumë vlerë të shtrohej në këtë mënyrë: Si do të mbrohej më mirë interesi publik, nëse të gjithë vendet në institucionet e drejtësisë zotërohen nga Rama apo nëse në to përfaqësohej edhe opozita, duke i ndarë vendet proporcionalisht mes mazhorancës e opozitës? Sepse këto janë dy opsionet e mundshme për të vlerësuar “mbrojtjen e interesit publik”. Interesi publik mbrohet pikërisht më mirë kështu siç sugjeron Komisioni i Venecias, sepse qytetarët kanë votuar për partitë që janë prezente në Kuvend dhe natyrisht kërkojnë që sipas këtyre përqindjeve të jenë të prezantuara edhe në institucionet e drejtësisë. Sepse nëse do t’i zotëronte Rama të gjithë vendet në institucionet e drejtësisë, do të shtrohej e njëjta pyetje “si do të mbrohej interesi publik nëse drejtësia kapet nga Rama” apo “si do të mbrohej më mirë interesi publik i atyre që s’kanë votuar për Ramën, me përfaqësimin e përfaqësuesve të tyre në institucionet e drejtësisë apo duke i kontrolluar të gjitha Rama…”. Nëse Rama do të kontrollonte 100 për qind sistemin e drejtësisë atëherë do të ishim në kushtet e kontrollit të drejtësisë nga një parti e vetme, pra në kushtet e një drejtësie moniste. Dhe kjo do të ndodhte me siguri nëse votimi do të kryhej në Kuvend me 3/5 ose me 2/3, të cilat kontrollohen direkt apo indirekt nga Rama.
Pyetje 3: Përse do të ishte si në monizëm? Mos është pak i ekzagjeruar ky përfundim?
Le ta shtrojmë problemin ndryshe. Nëse Rama do të kishte fituar nga zgjedhjet e 2013 të gjithë vendet në Parlament, pra 140 deputetë, ateherë do të kishte vetëm një parti që do të qeveriste vendin, pra do të ishim në kushtet e monizmit, siç ndodhte para vitit 1990. Sigurisht që kjo tanimë është e pamundur nëse votimet janë të lira e të ndershme. Në rast se do të kishte fituar 140 mandate, Rama do të “kishte të drejtën moniste” të zotëronte të gjithë vendet në institucionet e drejtësisë, duke qenë edhe Kryeministër, edhe prokuror, edhe gjykatës, siç ndodhte para vitit 1990, madje edhe avokat. Edhe e kundërta mund të ndodhë realisht, nëse Rama me 62-63 mandate në Kuvend synon të zaptojë të gjithë vendet në institucionet e drejtësisë, kjo do të thotë se ai synon të ketë zotërim monist në institucionet e drejtësisë. Kjo do të quhej “kapja moniste” e drejtësisë, shumë e rrezikshme për fatet e demokracisë. Përmes kësaj kapjeje fillimisht do të spastroheshin të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që Rama do t’i konsideronte kundërshtarë të tij dhe të klientelës së tij. Më tej përmes kapjes moniste të drejtësisë do të synohej kapja moniste politike apo pothuajse moniste e Kuvendit. Dhe faza finale do të ishte zaptimi i Kuvendit me 140 mandate ose në mënyrë më të maskuar me një shumicë të cilësuar dhe një opozitë të emëruar/fasadë/kukull. Ruajna Zot nga ky opsion… Po ky është synimi i Ramës. Dhe është real…