Insulina, konkurrenca heton monopolin: Një kompani po abuzon me pozitën dominuese

351

Farmacitë në Shqipëri po hasin në problem me furnizimin me insulinë për pacientët e tyre, teksa Kompania Fufarma, që ka monopolin e tregtimit të insulinës kushtëzon shitjen e saj te farmacitë së basku me disa barna të tjera që nuk ecin. Konkurrenca nis hetimin. Mira, një farmaciste në Tiranë prej disa kohësh nuk furnizohet me insulinë për shkak se, kompania që e ka te drejtën e shpërndarjes së furnizimit e kushtëzon dhënien e saj me furnizimin e ilaçeve të tjera. Ajo ka shumë pacient të rregullt që furnizohem me ketë medikament dhe po has në vështirësi për ofruar ilaçin ndaj tyre.
Nisur nga ankesa të ngjashme, Autoriteti i Konkurrencës ka lajmëruar një hetim paraprak që do të zgjasë deri në shtator në lidhje me ankesat për abuzim me pozitën dominuese nga kompania Fufarma. Autoriteti lajmëroi se është depozituar një ankesë me objekt vendosjen e kushteve dhe detyrimeve në tregun farmaceutik. Nëpërmjet kësaj ankese pretendohet se ndërmarrja “Fufarma Sh.a” me objekt të aktivitetit të saj: tregtim, import, shitje me shumicë dhe pakicë të medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore, abuzon me pozitën e saj dominuese në tregun e produktit “Lantus” (insulinë). Sipas ankuesit ndërmarrja “Fufarma Sh.a” zotëron të drejtat e vetme të tregtimit të medikamentit “Lantus” (insulina), i cili është një produkt i domosdoshëm për të sëmurët diabetik dhe njëkohësisht është një medikament i rimbursueshëm nga fondi i sigurimeve shëndetësore. Sipas ankeses: “Duke patur të drejtën e tregtimit e vetme të medikamentit “Lantus”, ndërmarrja “Fufarma Sh.a” vendos kushte shtesë duke detyruar çdo farmaci të blejë në të njëjtën transaksion edhe 10 paketa Enterogermin (një tjetër produkt)”.
Nisur nga kjo ankesë Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës në ndjekje të procedurave ligjore për vlerësimin e ankesës, më datën 28 prill 2016 realizoi një monitorim pranë farmacive, lidhur me problematikën e ngritur nga ana e ankimuesit si më sipër. Nga monitorimi në terren rezulton se: problematika e ngritur lidhur me sjelljen e ndërmarrjes “Fufarma Sh.a” në vendosjen e kushteve për të blerë medikamente shtesë gjatë blerjes së produktit “Lantus”, është prezentë në farmacitë me kontratë me ISKSH-në. Farmacistët pranojnë se ky problem ka ardhur duke u shtuar gjatë tre javëve të fundit, ku edhe sasia e mallrave shtesë që u kërkohet të blihen bashkë me “Lantus” nga ana e ndërmarrjes “Fufarma Sh.a” është shtuar. Gjatë monitorimit u pranua nga ana e farmacistëve se kushtet e vendosura nga ana e Fufarma gjatë blerjes së “Lantus” kanë qenë prezentë edhe gjatë vitit të kaluar, por sasia shtesë e mallrave që kërkohej të blihej ishte më e vogël.
Nga faturat e blerjes së “Lantus”, të mara në disa farmaci, rezulton se përveçse “Lantus” ato përmbajnë edhe produkte të tjerë shtesë, gjë e cila lë dyshime për një sjellje që vendos kushte dhe detyrime nga ana e ndërmarrjes “Fufarma Sh.a”. Për sa mësipër, nga të dhënat e mbledhura gjatë monitorimit, rezulton se ndërmarrja “Fufarma Sha”, me aktivitet import, shitje me shumicë dhe pakicë të medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore, zotëron pozitë dominuese në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të produktit mjekësor “Lantus” (Insulinë).
Në këto rrethana, vendosja e kushteve dhe detyrimeve shtesë për të blerë edhe medikamente të tjera mjekësore bashkë me produktin “Lantus” (insulinë) nga ana e ndërmarrjes “Fufarma Sha”, mund të përbëjë shkelje të nenit 9 të Ligjit nr. 9121, datë 27.03.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar. Për këto arsye Komisioni i Konkurrencës, në zbatim të nenit 9, nenit 24 dhe nenit 42, pika 1, të Ligjit Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë dhe pakicë të produktit mjekësor “Lantus” (Insulinë), për të parë nëse ka, ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës. Hetimi paraprak të përfshijë periudhën kohore Shtator 2015- Prill 2016. III. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për ndjekjen e procedurave hetimore të parashikuara në Ligjin nr. 9121 dhe në aktet nënligjore përkatëse, si dhe 2 përgatitjen e raportit të hetimit paraprak jo më vonë se 2 muaj nga marrja e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KOMISIONI I KONKURRENCËS VENDIM nr.415, datë 4.05.2016 “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë dhe pakicë të produktit mjekësor “Lantus” (Insulinë)” Komisioni i Konkurrencës, me përbërje si vijon: § Lindita MILO (LATI) Kryetare § Servete GRUDA Zv/Kryetare § Koço BROKA Anëtar § Iva ZAJMI Anëtare § Eduard YPI Anëtar Në mbledhjen e tij, të datës 4.05.2016, me pjesëmarrjen e znj. Lindita Milo (Lati), znj. Servete Gruda, Z. Koço Broka dhe Z. Eduard Ypi, trajtoi çështjen me: Objekt: Shqyrtimi i raportit të monitorimit në tregun farmaceutik për produktin “Lantus” (insulin) Baze ligjore: Neni 24 (shkronja d), neni 26 dhe 42, (pika 1) të Ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, si dhe neni 12 i Rregullores “Për funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës” dhe neni 4 i Rregullores “Për procedurat hetimore të Autoritetit të Konkurrencës”.