Harroji shantazhet, propozimet na u bënë për të anashkaluar rekomandimin 88 të Venecias

388

Lulzim BASHA

Qeveria nisi dhe vijon njëanshmërisht dhe pa konsensus, procesin parlamentar të ndryshimeve të Kushtetutës dhe të paketës së ligjeve zbatuese. Opozita, unë personalisht, i denoncuam lojërat qeveritare dhe i mbetemi të njëjtit qëndrim: Pa materializimin në paketën e ndryshimeve kushtetuese të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, për të katër institucionet njëherazi, nuk ka e nuk do të ketë votë opozitare. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, nuk pranojmë asgjë më pak se adoptimi dhe zbatimi i plotë i rekomandimit 88.
Rekomandimet e Venecias janë tabani i standardeve europiane poshtë, të cilave nuk mund të zbresë askush. Poshtë këtyre standardeve, ka vetëm drejtësi të kapur, drejtësi të komanduar, drejtësi të korruptuar dhe vasale të qeverisë, shkurt e thjesht padrejtësi.
Përjashtuar një pikë parimore që lidhet me rekomandimin 88 të Venecias për katër institucionet, pjesa tjetër e draftit të ndryshimeve të Kushtetutës është pranuar nga opozita si i kapërdisshëm, ndonëse përgjegjësinë për mosfunksionimin eventual të saj duhet dhe do ta mbajnë ata që e propozojnë. Ky pranim është rrjedhojë e reflektimit, në nivelin minimal të mjaftueshëm, të kritikave dhe rekomandimeve të Venecias si mbi draftin e shtatorit 2015 ashtu edhe mbi atë të janarit 2016.
Kushdo me mendje të kthjellët dhe i zhveshur nga konflikti i interesave e ka të qartë se dy draftet e mëhershme, tërësisht të njëanshëm, do të instalonin drejtësinë e padrejtësisë të komanduar nga një dorë – dora kryeministrore, aktualisht e Edi Ramës, nesër e Lulzim Bashës, pasnesër e dikujt tjetër. Për opozitën kjo është dhe do të jetë e papranueshme, në çdo variant që të shfaqet ndaj jemi njësh me parimet e Venecias.  Opozita, por jo vetëm opozita, argumentoi me durim dhe konstruktivitet defektet parimore dhe rrezikshmërinë e lartë të secilit nga dy draftet e mëparshme dhe mori konfirmimin e Venecias për drejtësinë e qëndrimeve të saj, si nga opinioni i ndërmjetëm i Venecias, i dhjetorit 2015 mbi draftin e parë, ashtu edhe nga ai final i marsit 2016 mbi draftin e dytë të njëanshëm
Opozita, që në nisje ka qenë për një reformë të plotë, të thellë, të gjerë, kushtetuese e ligjore, për drejtësinë e paanshme, të pakapur, të pakomanduar, efektive dhe eficente. Këtë e kemi shprehur qartë që në tryezën më të parë, në tetor 2014, të kryesuar nga Presidenti, në prezencë edhe të partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Presidentin e Komisionit të Venecias ku kërkuam bashkëkryesim dhe Venecian të vetmin arbitër.  U deshën 10 muaj që Edi Rama në korrik 2015 të pranonte Venecian arbitër, por jo bashkëkryesinë e komisionit, as bashkëpunimin politik dhe teknik me opozitën. Ai vijoi njëanshmërisht procesin me secilin nga dy draftet, por mori mbrapsht, ai dhe cilido tjetër, shqiptar apo i huaj, politikan apo zyrtar, teknicien apo teknicien i politizuar, përgjigjen e merituar nga Venecia.
Drafti i tretë dhe më i fundit, ai i 4 majit së bashku me disa prej sugjerimeve të 31 majit, përjashtuar çështjet që lidhen me rekomandimin 88, reflekton disa nga kontributet politike dhe teknike të opozitës.
Për të ndihmuar procesin opozita, në maj 2016 propozoi edhe një draft ku ndërsa inkorporonte çdo arritje pozitive të deriatyshme, i jepte zgjidhje integrale, koherente dhe harmonike çdo rekomandimi të Venecias, përfshirë atë 88. Vetë drafti ynë është shprehje e vullnetit tonë për reformën e duhur po aq sa e kapaciteteve të larta teknike që kemi vënë në dispozicion të kësaj reforme. Drafti ynë nuk mundëson kapjen nga opozita, natyrisht as nga qeveria. Deri më sot askush, shqiptar apo i huaj nuk e ka kritikuar apo rrëzuar parimet dhe zgjidhjet e ofruara në këtë draft.
E gjithë sjellja e opozitës pra, që nga dita e parë e Reformës në Drejtësi e deri më sot provon se ne kemi qenë dhe jemi për një reformë të plotë, të thellë, të gjerë, kushtetuese e ligjore për drejtësinë e paanshme, të pakapur, të pakomanduar, efektive dhe eficente. Ne kemi qenë elastike deri në kufijtë ekstreme duke toleruar në shumë aspekte, procese dhe variante, të cilat ndonëse me pikëpyetje të shumta, gjithsesi mbeteshin brenda standardeve minimale apo kufijve të përcaktuar nga Komisioni i Venecias.
Opozita nuk mund të pranojë që i gjithë ky mund i derisotëm të shkojë dëm, aq më pak të pranojë që dora qeveritare, e dukshme apo e padukshme, të mbështetet në një pikë poshtë standardit të Venecias, poshtë rekomandimit 88, në zonën e errësirës, padrejtësisë, arbitraritetit. Nuk pranuam dje, nuk pranojmë sot e nuk do të pranojmë nesër.  Kjo nuk do të thotë se nuk pranuam të vijojmë konsultimet, diskutimet, negociatat për variante që zbatojnë rekomandimin 88 të Venecias. Këtë bëmë edhe në maj, këtë bëra edhe në takimin me Edi Ramën, edhe në atë me Ilir Metën, këtë kam bërë gjithë këto javët e fundit, unë dhe bashkëpunëtorët e mi opozitarë.
Kam marrë propozime, por kanë qenë e njëjta prerje, në shmangie të rekomandimit 88 të Venecias, veçse me veshje të ndryshuar. Ndryshe nga ç’pretendohet nuk kanë qenë të arsyeshme pasi nuk ka si të ketë arsye përtej rekomandimit 88 të Venecias. Nuk ka si të jetë i arsyeshëm asnjë propozim që ndërsa me një dorë jep 3/5 apo 2/3-tat e votimit në Kuvend me dorën tjetër e zhbën këtë kuorum përmes një mekanizmi që i jep qeverisë kontrollin e hartimit të listave duke përjashtuar opozitën tërësisht nga çdo rol. Çdo variant i këtillë, i kujtdo qoftë, është në kundërshtim me rekomandimin 88 që përcakton rol substancial të opozitës përmes përfaqësimit të saj të drejtë. Ndërkohë, kemi vijuar të japim propozime e të ofrojmë zgjidhje alternative që zbatojnë plotësisht rekomandimin 88, në harmoni me çdo rekomandim tjetër të Venecias. Këto propozime janë hedhur poshtë pa asnjë argument nga pala tjetër
Opozita është e vendosur t’i japë shqiptarëve reformën e duhur për një drejtësi më të mirë, por është edhe më e vendosur të mos lejojë që shqiptarët të bien në kthetrat e një sistemi padrejtësie të komanduar e të kontrolluar, aq më shumë nga një qeveri e kriminalizuar, e korruptuar, arrogante dhe e papërgjegjshme. Unë kam qenë dhe jam në komunikim intensiv, edhe këto ditë, me faktorët relevantë në Ëashington, Bruksel, Berlin, Paris, Romë dhe Londër. Qeverisë i kanë ardhur mesazhe të qarta që të harrojë shantazhin dhe trafikun e votave, të kërkojë e japë konsensus për një reformë sipas rekomandimeve të Venecias. Mesazhe të këtilla do të vijojnë edhe më fort, edhe më shpesh, edhe më qartë. Sepse kjo është e vetmja mënyrë për një reformë të qëndrueshme në drejtësi që i shërben qytetarëve dhe jo pushtetit.  Kush ka veshë le t’i dëgjojë.