Rama zyrtarizon aferën Skavica, PD: Koncesioni korruptiv do të zhbëhet

309

Pasi dha me koncesion të pakërkuar hidrocentralin e Poçemit, në një tender ku mori pjesë vetëm një kompani, qeveria hapi dje tenderin për hidrocentralin e Katundit të Ri mbi lumin Drin, me të njëjtën formulë ku fituesi është i paracaktuar nga bonusi i qeverisë. Qeveria shqiptare hapi tenderin formal për dhënien me koncesion të hidrocentralit të Katundit të Ri, një koncesion për të cilin më herët ka dhënë një bonus shumë të debatuar për një kompani turke si “koncesion i pakërkuar”.
Njoftimi i hapjes së tenderit publikuar në faqen e internetit të Agjencisë së Prokurimit Publik, thotë se kompanitë e interesuara do të mund të kryejnë një vizitë në vendin e hidrocentralit më 7 qershor të këtij viti dhe do të kenë kohë të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 11 korrik. Teorikisht tenderi është i hapur për çdo kompani të interesuar, por konsorciumi i dy kompanive turke, bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Suzer” dhe “Nurol”, ka marrë sakaq me vendim qeverie një bonus me 8 për qind të pikëve nga 100 të mundshmet për t’u fituar në tender, gjë që do të thotë se konkurrentët e tjerë të mundshëm do të duhet të vuajnë shumë për të mposhtur një konkurrent që disponon një avantazh të tillë.
Pak javë më parë, qeveria tenderoi një projekt tjetër koncesionar, hidrocentralin e Poçemit mbi lumin Vjosë, tender ku mori pjesë vetëm një kompani, pikërisht kompania që pati marrë bonusin me vendim qeverie, ndërsa asnjë kompani tjetër nuk e pa të arsyeshme të konkurronte në një tender me fitues të paracaktuar.
Dokumenti i tenderit i publikuar nga qeveria zbulon gjithashtu se askush nuk i ka matur prurjet e lumit Drini i Zi, ku do të ndërtohet hidrocentrali që nga viti i largët 1990 dhe se matjet e vetme janë kryer në vitet 1960-1990. “Ka disa stacione meteorologjike dhe hidrologjike mbi lumin Drini i Zi. Gjithsesi, të dhënat e këtyre stacioneve janë deri në vitet 1990 dhe nuk i mbulojnë vitet e fundit”, shkruhet në dokumentin e hapjes së tenderit. Gjithashtu, qeveria raportohet se ka kërkuar heqjen e një pjese të zonës që preket nga hidrocentrali nga territori i Parkut Kombëtar të Korabit, i shpallur prej kohësh zonë e mbrojtur.
Në kohën e komunizmit, Shqipëria projektoi shfrytëzimin e kaskadës së lumit Drin përmes ndërtimit të pesë hidrocentraleve, Skavicë, Fierzë, Koman, Vau i Dejës dhe Bushat. Nga këto, Fierza, Komani dhe Vau i Dejës u përfunduan para viteve 1990, ndërsa Skavica dhe Bushati mbetën të pandërtuara dhe projektet hasën në vështirësi për shkak se në planin origjinal të konceptuar, përfshihej përmbytje tokash në Maqedoni dhe ulje e nivelit të Liqenit të Shkodrës, i cili shtrihet në Shqipëri dhe Malin e Zi. Hidrocentrali i Bushatit, i cili qe parashikuar të ndërtohej me ujëmbledhës dhe me kapacitet të instaluar 80 MW, u zëvendësua me hidrocentralet Ashta 1 dhe Ashta 2, të cilat u ndërtuan me koncesion në vitet 2009-2012 ndërsa hidrocentrali i Skavicës u dha me koncesion të pakërkuar nga qeveria Nano në vitin 2005 për të mbetur një projekt i vdekur për një dekadë të tërë.
Propozimi aktual është shfrytëzimi i pjesës së sipërme të lumit Drin për ndërtimin e dy hidrocentraleve, të cilat do të njihen si Katund i Ri dhe Skavicë. Skema aktuale bazohet në një studim të kryer nga një kompani franceze për llogari të shtetit shqiptar në vitin 2009, referuar si studimi Sogreas. Për shkak se studimi ekziston, shumë ekspertë, si dhe opozita politike kanë kritikuar qeverinë aktuale për dhënien e bonusit për bashkimin e kompanive turke, duke e quajtur procedurën klienteliste. Qeveria i është përgjigjur duke argumentuar se qeveria paraardhëse ka dhënë më shumë koncesione të tilla, ndërsa argumenton se kompania turke ka bërë “studim fizibiliteti” në bazë të së cilit, qeveria e ka parë të arsyeshme t’i japë 8 për qind bonus.

Vendimi i qeverisë për bonusin

Vendimi i qeverisë u publikua më 7 janar 2015, në Fletoren Zyrtare. Vendimi, për të cilin nuk u publikua relacion shoqërues, mjaftohet vetëm duke thënë se jepet bonusi “për ndërtimin e hidrocentralit “Katundi i Ri”, mbi lumin Drini i Zi, në kuotën maksimale të ujit, 445 m.m.n.d, në kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”. Ende pa u dhënë lajmi nga qeveria shqiptare, kompania turke “Suzer” publikoi në faqen e saj të internetit lajmin se hidrocentrali i ri do të jetë me kapacitet 57 MW dhe pritet të kushtojë 110 milionë euro. Qeveria thotë se në fakt, dhënia e bonusit është hapi i parë i koncesionit, i cili do të duhet t’i nënshtrohet gjithsesi një tenderi, sipas kuadrit ligjor ekzistues. Por kompania “Suzer” deklaron sakaq në faqen e saj të internetit se “punimet do të nisin në fund të vitit 2015” dhe se pritet që hidrocentrali të përfundojë së ndërtuari pas 30 muajsh nga nisja e punimeve. Ndërkohë, Partia Demokratike thotë se në fakt, marrëveshja për koncesionin është arritur në mënyrë sekrete në prill të vitit të kaluar gjatë një vizite të Kryeministrit Edi Rama në Stamboll. “I kërkuam Ramës të përgjigjej po bënte apo jo negociata të fshehta e të paligjshme për të dhënë pa garë e pa transparencë projektin më të rëndësishëm energjetik në Shqipëri, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, një kompanie turke, ‘Suzer & Nurol Group’”, deklaronte Grida Duma, sekretare për marrëdhënien me publikun në Partinë Demokratike. Sipas saj, koncesioni është dhënë sakaq, aq sa ministri i Ekonomisë, i vënë nën pyetjen se pse nuk ka investime të huaja në emisionin “Zonë e Lirë”, e deklaroi qartazi se koncesioni i Skavicës i është dhënë “Suzer Group”.

PD: Hetim të plotë dhe të gjithanshëm aferës

Partia Demokratike paralajmëroi dje se nuk do të njohë koncensionin për hec-in e Skavicës ndërsa konfirmoi se ky koncesion do të zhbëhet. Përmes një deklarate për mediat, Sekretarja për Marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma  tha se tenderi i djeshëm vjen pas një pakti negociatash të paligjshme mes Ramës e Ahmetajt me kompaninë turke.
“Edi Rama ka hapur zyrtarisht rrugën për të përmbyllur aferën e tij Skavica me firmën turke “Suzer”. Njoftohet se tenderi do të bëhet më 11 korrik, një garë sa për formalitet, pasi fituesi është i paracakuar, është “Suzeri”, kompani që zyrtarisht ka marrë ndërkohë 8 pikë bonus nga Rama, pasi ka bërë propozimin e pakërkuar. E vërteta është se kemi të bëjmë me një pakt të kërkuar me kohë, me negociata të paligjshme e private, fillimisht të Edi Ramës, pastaj të Arben Ahmetajt, i cili ka ndërmarrë dhjetëra udhëtime luksoze me çarter. Kur ne e denoncuam këtë pazar të Edi Ramës me pasurinë publike me firmën “Suzer”, një vit më parë, qeveria e mohoi. Më pas negociatori i paligjshëm me çarter Ben Ahmetaj e pranoi live në emisionin “Zonë e Lirë”. Dhe sot, “Suzer” rezulton edhe me dokument qeveritar si favorit, pasi ka marrë 8 pikë bonus për një propozim të pakërkuar” u shpreh Duma.
Ajo theksoi se PD do të bëjë një hetim të gjithanshëm të kësaj afere
“Edi Rama po ndan kështu me klientin e tij, një prej projekteve më të mëdha hidroenergjetike në vend e në rajon, një allishverish që ka nisur me negociata të paligjshme e private në Stamboll e që pritet të mbyllet më 11 korrik në Tiranë. “Suzer” dhe çdo kompani tjetër janë të paralajmëruar edhe sot më datë 24 maj 2016 nga Partia Demokratike e Shqipërisë se: koncesioni korruptiv i Skavicës do të zhbëhet. Se një hetim i plotë dhe i gjithanshëm i kësaj afere përfshirë takimet, udhëtimet dhe allishverishin korruptiv Rama-Ahmetaj-“Suzer”, do të bëhet, në mos sot, nesër. Partia Demokratike do ta zhbëjë këtë koncesion me forcën e ligjit, si çdo koncesion e aferë tjetër korruptive të Edi Ramës” tha Duma.

Rama, i dha 8 pikë bonus kompanisë turke

Vendimi, i marrë më 17 dhjetor 2014 në fshehtësi nga Rama në kundërshtim të hapur me ligjin fsheh një tjetër aferë korruptive të qeverisë që pritet t’u kushtojë shqiptarëve rreth 110 milionë euro. Koncesioni i Skavicës, pas aferës CEZ, është projekti më korruptiv dhe pazari më i dyshimtë i Edi Ramës dhe ministrit të tij të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Kompania që fitoi koncesionin e Skavicës është kompania turke “Suzer”, e cila ndonëse listohet në listën e zezë ndërkombëtare, nga Rama dhe Ahmetaj fitoi një bonus me 8 pikë për aferën Skavica, duke ia falur atë. PD ka denoncuar se kompania “Suzer” ka negociuar intensivisht në fshehtësi me qeverinë Rama për të marrë Skavicën, duke i sjellë madje Ahmetajt edhe një çarter të posaçëm me të cilin ministri i Ramës ka udhëtuar disa herë drejt Turqisë në hotele lukzose, ndërsa vijonte negociatat deri në mbylljen e aferës dhe dhënien e Skavicës kompanisë “Suzer”.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë reagoi duke e konsideruar denoncimin e opozitës si “fabrikim dhe shpifje”, por pranoi se me të vërtetë, më 23 dhjetor 2015, qeveria e ka dhënë një bonus për një kompani turke. Vendimi i qeverisë u publikua më 7 janar 2015, në Fletoren Zyrtare. Vendimi, për të cilin nuk u publikua relacion shoqërues, mjaftohet vetëm duke thënë se jepet bonusi “për ndërtimin e hidrocentralit “Katundi i Ri”, mbi lumin Drini i Zi, në kuotën maksimale të ujit, 445 m.m.n.d, në kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”.
Ende pa u dhënë lajmi nga qeveria shqiptare, kompania turke “Suzer” publikoi në faqen e saj të internetit lajmin se hidrocentrali i ri do të jetë me kapacitet 57 MW dhe pritet të kushtojë 110 milionë euro.

Pazaret për Skavicën nisën një vit më parë

Në muajin prill të vitit të kaluar, Rama i ka dhënë një kompanie turke ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës pa garë, pa transparencë. Kjo aferë e Ramës u dekonspirua në mënyrë të pavullnetshme nga ministri Arben Ahmetaj, i cili pranoi gjatë emisionit “Zonë e Lirë” se në Shqipëri ka ardhur kompania turke “Suzer & Nurol Group” dhe se akuzat për largimin e kompanive të huaja janë të pavërteta. Por kjo deklaratë e pamenduar mirë, por vetëm për të mbuluar të vërtetën therëse që po përjetojnë investimet e huaja në vend bëri që Ahmetaj të bënte deklaratën që nxori zbuluar shefin e tij lidhur me aferën e hidrocentralit të Skavicës që i është dhënë kompanisë turke “Suzer & Nurol Group”.
“Por para disa javësh, i gjendur në presion, ministri i tij Ahmetaj pohon vetë se Skavica i është dhënë një kompanie turke. Partia Demokratike më 29 prill të 2015 e akuzoi Edi Ramën se kishte udhëtuar drejt Turqisë jo në formë zyrtare, por në mënyrë të fshehtë. Sipas PD gjatë qëndrimit në Turqi, Rama ka qenë i akomoduar në një ndër hotelet më luksoze të Stambollit dhe se nuk mori pjesë në një konferencë ndërkombëtare, por në një negociatë sekrete aspak transparente, private, me një konsorcium turk i interesuar për koncesionin e hidrocentralit të Skavicës, një ndër veprat më të rëndësishme energjetike në vend me një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike në fushën e energjisë e për pasojë dhe të sigurisë së vendit.
Dhe në atë kohë i drejtoi dhe disa pyetje Ramës për të hedhur dritë mbi udhëtimin e fshehtë të Ramës, por që nga ana e qeverisë dhe vetë Kryeministrit nuk kishte asnjë reagim.