Moratorium për gjuetinë ndaj njerëzve

218

Astrit PATOZI

Sot po diskutojmë se si të shtyjmë edhe disa vjet të tjera gjuetinë e njeriut mbi kafshët në Shqipëri, por ne në fakt kemi më shumë nevojë që të ndalim gjuetinë e njeriut mbi njeriun në këtë vend. E cila është më e pamëshirshme dhe më mizore se e para, dhe pse jo gjithmonë përfundon me vrasje. Dhe ajo ka pothuajse gjithmonë si shenjestër të varfërin dhe të pambrojturin, që është preja më e lehtë e gjuetarëve të egër të pushtetit, por po aq edhe ujqërve të uritur të krimit. Hataja më e madhe është kur të dy racat e gjuetarëve janë në aleancë të fortë midis tyre, dhe gjëma e gjëmave, kur janë e njëjta gjë apo të shkrirë në një njeri të vetëm. Ne na ka ndodhur tamam kjo e dyta ndaj edhe është pikërisht ky moratoriumi, që na duhet, sepse kaq të madh e kemi hallin.
Unë nuk kam pasur asnjëherë ndonjë emër tjetër, nuk jam marrë kurrë me trafiqe, nuk jam arrestuar ndonjëherë, as në Shqipëri dhe as jashtë saj, por nuk mendoj se kjo përbën ndonjë arsye për t’u krenuar. Meritë, jo e jo. Natyrisht që nuk është, as rastësi, dhe as fat, është zgjedhje. Por deri këtu, sepse si unë janë më tepër se 95 për qind e shqiptarëve të tjerë, përfshirë këtu edhe shumë prej kolegëve deputetë, në të dyja blloqet politike.
Por problemi është se ne kemi mbërritur në një pikë që edhe në këtë sallë kanë ardhur jo pak kontigjente të policisë, autorë dhe bashkëpunëtorë të krimeve rrëqethëse. Ata janë sot titullarë të rëndësishëm edhe në nivele të tjera të pushtetit dhe kjo është për të vënë kujën. Në këtë ditë nuk erdhëm rastësisht, ndaj edhe është e dhimbshme se e vetmja gjë që mund të bëjmë sot është të veçohemi nga trafikantët, vrasësit apo hajdutët e shtëpive, të cilët njësoj si ne janë ende ose kanë qenë para pak kohësh deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Unë nuk e pranoj këtë standard të shpërfytyruar, por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mua. Ne duhet ta refuzojmë atë si institucioni më përfaqësues i kësaj shoqërie dhe, fatmirësisht, unë e di se në këtë sallë ka plot njerëz normalë, për të cilët mund të debatosh sa të duash për cilësinë e ligjvënësit, por nuk kanë pasur dhe as do të kenë kurrë lidhje me krimin dhe trafiqet. Dhe me gjithë damkën që i kemi vënë vetes sidomos në këtë legjislaturë, ne kemi ende mundësi për të bërë diçka që të ndahemi me të keqen.
Ne tashmë e kemi bilancin e parë të aplikimit të ligjit për dekriminalizimin. Sipas meje, ai është tronditës, ndonëse ky është thjesht një lexim paraprak i të dhënave të depozituara vullnetarisht. Le të mos harrojmë se ende nuk është kryer ende asnjë hetim, i cili mund ta thellojë dhe më shumë rezultatin.
Personazhe me dy, tre apo edhe katër emra të tjerë, përveç të vetit, të dënuar ose të arrestuar për trafiqe, që kanë veshur kostumin e deputetit ose që drejtojnë bashki të rëndësishme në vend. Si askund tjetër në botë, në Europë as që bëhet fjalë. Pasi edhe në vendet më të kriminalizuara, ka një normë apo etikë për të mos e çuar banditin të paktën në Parlament dhe në qeveri, por ku ndoshta edhe vetë mafiozët bëjnë kujdes që të mos ngjiten më lart se ç’u takon, pasi pushtetin e shijojnë më mirë edhe në gjysmëerrësirën e botës së tyre.
Sigurisht, që ka pasur dhe ka përpjekje të dëshpëruara për ta relativizuar fenomenin dhe për ta paraqitur atë si një gjë të zakonshme. Kryeministri, që është kampion absolut në kërkimin me qiri të kontigjenteve të krimit për t’i promovuar më pas ata politikisht, nxitoi të shprehte lehtësimin, sepse, sipas tij, nuk arrihet dot deri tani numri 17 i atyre që ka deklaruar para dy vjetësh opozita. A thua se po qenë 16, 10 apo qoftë dhe 5 të inkriminuarit VIP në vepra të rënda, shoqëria, jo vetëm nuk duhet të shqetësohet, por përkundrazi, duhet t’i kërkojë llogari opozitës, pse nuk di të numërojë mirë.
Dhe mendoj se kjo është si fitore e Pirros përballë shijes së rëndë që kanë lënë kudo në Shqipëri lajmi për kaq shumë të zgjedhur kombëtare dhe lokalë, me cene të rënda në biografinë e tyre. Shumica e të cilëve, janë përzgjedhur kokërr për kokër prej vetë Edi Ramës, përgjegjësit kryesorë të këtij regresi mbresëlënës të kursit demokratik të vendit.
Për shkak të tij kemi sot disa bashki të vendit të pushtuara nga njerëz të basifondeve më të errëta të krimit, ndërkohë që Shukriun e Peshkopisë e futën menjëherë në burg. Natyrisht, që e konsideroj të rëndë dhe të papranueshëm skandalin e tij, por ndërkohë jam shumë i bindur se ajo që ka bërë Shukriu është e pakrahasueshme me të zezat e të tjerëve, që sot po ankohen se po u bihet më qafë, për gjoja ca krime të vogla, që kanë kryer kur ishin refugjatë apo më të rinj. Sepse i bie në këtë vend dënohet vetëm ai që del në televizor, madje edhe në këtë rast, ka përjashtime, që të gjithë i kemi parë, me zë e me figurë.
Kam dëgjuar plot këto kohë që thonë se ka përgjegjësi edhe publiku për gjithësa po ndodh, sepse mirë ata që i propozojnë, po njerëzit pse duhet t’i votojnë. Në fakt kjo është një pyetje sa cinike aq edhe e ligë, e cila përpiqet ta fshehë dhe ta maskojë të vërtetën. Eshtë e njëjtë me atë se ne kemi zyrtarë që vjedhin, pasi jemi shoqëri e korruptuar, i cili është justifikimi më pervers që i bëhet korrupsionit në Shqipëri. Jo, jo, nuk kanë asnjë faj qytetarët. Sepse nëse t’i u thua që ke kandidat ose atë me katër emra, ose atë spaciatorin e Zyrihut apo Amsterdamit, ai çfarë do bëjë, do të përshtatet, kur shikon se është i pafuqishëm të ketë një zgjedhje tjetër? Do të pranojë logjikën e të fortit, e cila i është imponuar nga krye i forti i qeverisë, i cili i ka marrë në gji dhe në besë të gjithë banditët e Shqipërisë, që janë shndërruar tashmë në zyrtarë të lartë.
Kur shohin se sa më i korruptuar të jesh, aq më larg ngjitesh në karrierë, dhe kur asnjë hajdut me pushtet nuk ndëshkohet, edhe aktivistët më të vendosur të shoqërisë dorëzohen, dhe e pranojnë rushfetin si mjetin e vetëm për të zgjidhur ndonjë hall. Kjo është Shqipëria sot, jo e parë nga lart, por e njohur mirë nga brenda.
Kam dëgjuar gjithashtu Pandi Majkon të thotë se po nuk u votua reforma në dejtësi ne rrezikojmë të kthehemi në një gjysëm Siçilie. Unë them se kjo ditë ka ardhur, për të mos thënë që është tejkaluar, por jo për arsyen që thotë ai, por për shkak të lidhjes së fortë të krimit me politikën, këtej nga anët tona. Eshtë e vërtetë se mafia atje mund të diktojë apo imponojë shumë projekte në favor të saj, por unë nuk di që ajo t’i marrë vetë këto vendime në Parlamentin e Romës apo në Këshillin Bashkiak të Palermos, siç po ndodh këtu tek ne.
Dhe pyetja është çfarë do të bëjmë po vazhdoi kështu? Do të presim që edhe opozita të konkurrojë me bandat e veta dhe të presim që të fitojë më i forti, që do të thotë ai që mbledh më shumë horra dhe armë në anën e vet? Dhe nuk është çudi që kjo të ndodhë, nëse do të vijojë për shumë gjatë kjo telenovelë e pistë. Sepse askush prej nesh nuk mund ta parashikojë se çfarë Shqipërie dhe çfarë opozite mund të kemi nesër, nëse pushteti nuk do ta ndryshojë filozofinë dhe sjelljen e vet. Nuk ka asnjë rëndësi, në do të jemi ne ose të tjerë, që do t’i tundin gishtin njëri-tjetrit në këtë sallë, siç po bëjmë ne tani.
Dhe pyetja është a ka një rrugëdalje për të shpëtuar nga kjo mënxyrë dhe nga ky bastardim i çdo vlere dhe morali apo jo?
Mendoj se vetëm një reflektim i thellë i klasës politike do të ishte zgjidhja. Pas këtij rrënimi moral, kam bindjen e plotë se nevoja për rithemelimin e republikës është kthyer në një emergjencë kombëtare.
Na duhet reformë e plotë kushtetuese, që të nisë me ligjin e ri elektoral, e cila përfshin natyrisht dhe reformën e famshme të drejtësisë, si kapitull të rëndësishëm të saj. Dhe të mos kompleksohemi kot nga mungesa e kohës, sepse nuk ekziston fare ai problem. Të mos harrojmë që 8 vjet më parë na u deshën më pak se 48 orë për ta përmbysur krejtësisht Kushtetutën.
Le të ulemi që sot për një kontratë të re sociale, sepse nuk mund të zvarritet kaq pafundësisht tranzicioni i këtij vendi. Le ta fillojmë me zgjedhjet, sepse ato janë themeli i çdo shoqërie demokratike. Sepse aty i kemi rrënjët e çdo infeksioni, edhe këtë vërshim të krimit në politikë dhe në administratë, për shkak të zgjedhjeve të deformuara e kemi peshqesh. Sepse të fortët, që kanë ardhur në Parlament dhe sundojnë çifligje të tëra territoresh në bashkitë e reja të Shqipërisë, janë thirrur nën armë pikërisht për të rrëmbyer votat, me dhunë dhe me para të pista. Të ndahemi me vullnet të qartë nga kjo shëmti e frikshme, që na ka shndërruar në një shtet qesharak, i cili shërben si anekdotë për botën, si shembulli që nuk duhet ndjekur.
Natyrisht, mund të ketë plot formula, të cilat nuk janë vështirë të gjenden, nëse duam realisht të dalim sa nuk është vonë prej kësaj gjendjeje të pashpresë. Duhet ta pranojmë publikisht se ne, sot në opozitë, nuk arritëm ta ndryshojmë aq shumë për mirë Shqipërinë, sa kemi thënë. Ndërkohë, është po kaq e vërtetë se këtu nuk ka pasur asnjë ditë të vetme “Rilindje”, që nga 2013-a e këtej, kur Edi Rama erdhi në pushtet bashkë me Ilir Metën. Por kjo nuk kalohet me një ndjesë, e cila, edhe po të shqiptohet, nuk i shërben askujt. Prej nesh priten akte të forta dhe unë po propozoj një të tillë, pa ndonjë shpresë të madhe se do të merret në konsideratë.
Le të shkojmë vitin e ardhshëm në zgjedhje, jo vetëm për parlamentin e ardhshëm, por edhe për pushtetin vendor. Le të kemi zgjedhje të parakohshme lokale, sepse duhet ta pranojmë që jemi në një situatë të jashtëzakonshme. Kjo do të shmangte edhe koston e dyfishtë, pasi e di që do të kërcenin përpjetë edhe qeveria edhe avokatët e saj për të na ruajtur nga gjoja shpenzimet e tepërta, meqë jemi vend i varfër.
Le t’i quajmë zgjedhjet e vitit të shkuar si një shans të humbur, sepse të tilla ishin. Për shkak të problemeve të rënda që u vërejtën, të blerjes dhe deformimit të votës, por mbi të gjitha nga oferta e turpshme që iu bë shqiptarëve, me kandidatë me pesë emra, apo me të dënuar apo të arrestuar për trafik droge dhe prostitucioni.
Eshtë më e pakta që mund të bëjmë në këto kushte. Unë e di se është e padrejtë që të përsëriten zgjedhjet në ato bashki, që i kanë fituar qytetarë të nderuar, në të dyja kampet e politikës. Por më mirë le të digjet edhe i njomi me të thatin, sesa të vijojë debati a e kap ligji apo s’i kap ligji njërin, që ka mbajtur katër emra apo tjetrin, që është arrestuar 5 herë për krime monstruoze.
Prej nesh kërkohet një gjest solemn, se nuk do t’i rikthehemi më kësaj historie të neveritshme, që na nxin faqen të gjithëve, natyrisht në proporcion me përgjegjësinë, që kemi apo kemi pasur. Sepse ndryshe, çfarë kuptimi ka që kemi një ligj për dekriminalizimin, i cili ishte në një farë mënyre, pranimi publik i kësaj sëmundjeje të rëndë. Qëllimi i tij parësor nuk është vetëm pastrimi i tanipërtanishëm nga cubat, që kanë mbushur politikën dhe administratën, por që të frenojë dhe ndalojë përhapjen e kësaj epidemie të rrezikshme.
Dhe pasi të biem dakord për këtë them se mund të miratojmë brenda ditës reformën për drejtësi, reformën në arsim, reformën në shëndetësi, reformën në bujqësi, reformën e pensioneve, reformën në peshkim, madje edhe reformën për luftën e yjeve, po të doni, sepse është shumë e lehtë për t’u arritur gjithçka pastaj.
Një kontratë e re sociale do të thotë ndarje me veset dhe plagët e thella të së shkuarës dhe marrjen e përgjegjësive për një të ardhme, që ushqen mirëbesimin mes palëve, i cili arrihet vetëm me rregulla të reja loje.
Ndaj po i drejtohem Edi Ramës, që të heqë dorë nga hilet e vogla provinciale, duke bërë sikur e fton opozitën vetëm për të votuar reformën, sipas tij, në drejtësi. Nëse do që të mbahet mend për ndonjë gjë të mirë në këtë vend, le të prijë ose t’i bashkohet tryezës për Republikën e Re. I takon atij, si askujt tjetër, jo vetëm si udhëheqës i mazhorancës, por mbi të gjitha si autori kryesor i këtij deformimi të tmerrshëm, që e mbushi parlamentin me gjuetarë njerëzish. Kjo është realisht e vetmja rrugë.