Masakër mjedisore në Zvërnec, qeveria hesht

443

Në prag të nisjes së sezonit turistik, rreth 3 km vijë bregdetare në Zvërnec është ndotur dhe kjo ka ardhur nga shkarkimi i naftës bruto ose nga zifti. Kreu i Departamentit të Mjedisit dhe Turizmit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi vizitoi dje zonën e ndotur të plazhit të Zvërnecit në Vlorë ku situata paraqitet dramatike. Sipas Malltezit, ndotja duket e rëndë dhe me pasoja, por fatkeqësisht asnjë zyrtar dhe asnjë agjenci publike nuk ka vepruar ende për të shpjeguar shkaqet dhe për të vepruar me një plan për eliminimin e pasojave. Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë informacion për llojin e ndotësit ndonëse dyshohet se është mazut, ndërkohë që ende nuk dihet sa e madhe është shkalla e ndotjes së kësaj zone brendetare në Vlorë.
“Në një shtet normal, kjo ndotje do të kishte kërkuar që autoritetet të shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme, gjendjen e emergjencës civile dhe të merrnin masa për pastrimin duke shpallur planin e ndërhyrjeve. Për fat të keq nuk dihet asgjë. Institucionet shtetërore po flenë gjumë dhe nuk dihet të thuhet as çfarë ishte burimi i ndotjes, as sasia, as tipi, as rrezja e ndikimit. Dëmtuesit duhet të ishin përgjigjur para ligjit. Ne kemi me dhjetëra agjenci shtetërore që paguhen. Por pse i paguajmë ato kur atëherë kur duhen ato nuk përgjigjen për asgjë?! Çfarë e ndalon prefektin e Vlorës të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe gjendjen e emergjencës civile sipas Ligjit 8905?! A kemi institucione?! A kemi Agjenci Bregdeti?! A kemi Roje Bregdetare?! A kemi agjenci të zonave të mbrojtura?! Ky është një dëm që i bëhet mjedisit në një zonë të mbrojtur, në prag të sezonit. Kjo është antireklama më e madhe që i bëhet turizmit.
Ku janë deputetët e Vlorës sepse kjo është thikë pas shpine që i bëhet turizmit të Vlorës. Me sa krenari do të ofrojnë bizneset e Vlorës peshk apo prodhime deti kur kjo ishte një ndotje e madhe dhe askush nuk të thotë dot sa ishte dhe se çfarë ishte. Nuk e dimë sa e rrezikshme është dhe se sa afatgjatë do të jetë. Të gjitha këto janë pyetje pa përgjigje dhe na rroftë ne që po financojmë gjithë këto institucione dhe për fat të keq ky shtet kos po ha, por miliona po përlan. Nuk ka institucione, por vetëm tendera sepse kjo nuk është më çështje politike për një çështje kombëtare dhe turizmin shqiptar. Kemi dëgjuar në media që do të kemi ndërshkime dhe gjoba ndaj ndotësve, por nuk kemi parë deputetët dhe zyrtarët në terren dhe nuk kemi asnjë zyrtar për të thënë se çfarë ishte burimi i ndotjes. Është gjithçka retorikë politike dhe nuk kanë marrë masa”, tha Malltezi.
Për ekspertët e mjedisit në Partinë Demokratike, kjo ndotje është vërtet shqetësuese dhe duhen të merren masa të menjëhershme me një plan konkret për të eliminuar pasojat e saj. Sipas tyre, është e pafalshme mungesa e informacionit për banorët dhe komunitetin e Vlorës.
“Në momentin e parë që na erdhën pamjet nga qytetarët e Vlorës për ndotjen që kishte ndodhur në Zvërnec erdhëm vetë të shihnim se çfarë kishte ndodhur. Në momentin kur hyn në zonën bregdetare ndjen një erë të tmerrshme të hidrokarburit që e ka ndotur këtë zonë. Por fatkeqësisht as ne nuk e dimë se çfarë ndotësi është ky që ka ndotur këtë bregdet. Por ju mund të shihni që po punohet jo për ta hequr ndotësin, por për ta zbërthyer atë që të jetë i padukshëm. Është emergjente të zbulohet se çfarë ndotësi është dhe se çfarë rreze veprimi ka ai”, tha Emirjana Vata. Sipas Gavrosh Zelës, ndotja mund të jetë edhe më e rëndë për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e banorëve. “Ndotja që është shpërndarë në det është një rrezik për shëndetin dhe sigurinë ushqimore dhe për ekonoligjinë e zonës”, tha Zela.
Kjo ndotje bregdetare me hidrokarbur është e dyta që ndodh brenda një viti në Shqipëri kur vetëm pak muaj më parë një ndotje të madhe përjetoi edhe bregdeti i Durrësit.

Reagon Petrolifera: Derdhja e naftës mbi det, ndoshta nga një manovër e gabuar

Petrolifera reagoi lidhur me ndotjen e plazhit të Zvërnecit, duke bërë të ditur se nafta është derdhur nga anija “Ismail Kaptanoglu”, e cila ka pasur mbipresion në tubacione, ç’ka shkaktoi çarje. “Anija dhe terminali zbatuan planin e emergjencës. U pozicionuam në kordonin lundrues, kufizoi derdhjen”, thuhet në reagimin e Petrolifera-s. “Në natën midis ditës së shtunë 21 maj dhe ditës së dielë 22 maj, rreth orës 03:30, anija H Ismail Kaptanoglu që ngarkonte naftë bruto në Portin Vlora 1, ndoshta nga një manovër e gabuar në bordin e anijes që ka krijuar mbipresion në tubacione, duke shkaktuar një çarje me pasojë rrjedhje të naftës në brendësi të basenit të portit. Anija dhe terminali menjëherë kanë zbatuar planin e emergjencës të parashikuar nga standardet ndërkombëtare, duke kontrolluar rrjedhjen dhe duke pozicionuar kordonin lundrues në hyrje të portit, gjë që ka kufizuar në maksimum derdhjen e naftës, si dhe ka sjellë rikuperimin e naftës së derdhur në ujë. U njoftua menjëherë Kapiteneria e Portit dhe Drejtoria e Përgjithshme, të cilat kanë bërë hetime dhe verifikime duke angazhuar autoritetet e tjera kompetente. Në mbrëmje vonë të datës 23 maj, u sinjalizua një sasi e vogël nafte bruto (e vlerësuar në disa qindra kilogram) në plazhin e Zvërnecit, në veri të Vlorës, që mund të ketë ardhur nga i njëjti incident, sepse errësira dhe era e fortë gjatë natës dhe paradites së datës 22 mund të kenë shkaktuar shpërndarjen e një pjese të produktit të pakapur nga rrethimi lundrues i shtrirë për të izoluar produktin e derdhur. Edhe në këtë situatë, në bashkëpunim me autoritetet, kanë nisur operacionet për rikuperimin e plotë të produktit natyra e të cilit nuk përbën rrezik për ndotjen e fundit të detit dhe mundëson pastrimin lehtësisht. Operacionet e pastrimit tashmë janë në fazë të avancuar”, thuhet në reagimin e Petrolifera-s.