Ky largohet me mot të mirë

527

(Skicë për një analizë të gjërë)

Frrok ÇUPI

Tani ka ardhur koha që njerëzit pyesin kudo: “Kur do të ikë ky, more?”. Pyesin në rrugë, pyesin kur hyn në dyqan, të pyesin në kafe, pyeten me njëri-tjetrin njerëzit e afërm në ceremoni… Ndërsa ky që “do të ikë, kur?…”, është Edi Rama, kryeministër.
Edi Rama është zgjedhur kryeministër i Republikës para tre vjetësh. Tani ka ardhur koha që njerëzit të pyesin papushim se “kur do të ikë?”. Nën këtë qeverisje njerëzit janë lodhur, janë varfëruar dhe frikësuar. Duan shpëtim. Porta e parë e shpëtimit për njerëzit, duket se çmohet largimi sa më parë i kryeministrit.
A do të largohet? Kjo është frika e parë.
E dyta: A do të largohet pa “luftë”?
Njerëzit, tek kanë parë gjithë sjelljen poshtëruese ndaj të tjerëve dhe njëkohësisht narciziste për vete, kanë frikë se “ky nuk e lëshon kollaj”. Ka ndërtuar një perandori luksi për vete, dhe kjo është arsyeja kryesore pse nuk e lëshon lehtë. Perandoria e luksit e ndërtuar nga një emigrant i ardhur direkt në qeveri, (siç është Edi Rama), kuptohet se është një faj kriminal, perandori dhe faj që mbrohet me të gjitha armët… E dyta, është mania e tij për pushtet, e manifestuar egër në gjithë jetën, që nga marrëdhënia me një bebe të tij dikur, te prindërit, te miqtë dhe te njerëzit e qeverisur prej tij. Edi Rama është dalluar për një dëshirë dominimi çnjerëzor mbi njerëzit.
E treta, se ky vjen direkt nga gjaku komunist i Politbyrosë, ku në portën e ferrit kishte shënuar “pushteti merret me armë dhe mbrohet me armë”.
Këto arsye, thjesht, i shtyjnë njerëzit të mendojnë se “ky nuk ikën kollaj”.
Por tani që ndodhemi afër ditës kur ky duhet të largohet, më e mira është të mendosh pozitivisht. Të paktën të mendosh se ky do të largohet “me mot të mirë”, siç thotë populli. Unë për vete, si një njohës i afërt i psikozës së tij në kohë të vështira (siç ishte edhe momenti kur dikush e gjakosi para pallatit ku banonte), jam me shpresë se ky ikën me mot të mirë. Nuk bën pjesë në aradhën e njerëzve burrëror e trima.
Pse është koha për të ikur dhe pse është momenti për të shpresuar se ikën pa të keqe për vendin!?
Koha për të ikur, pse?
Sepse, (po mendoj si naiv), çfarë pati për t’i marrë ky dhe ministrat e tij, këtij vendi të varfër, por që prodhon shumë para për qeveritë hajdute, ky e mori. Ndoshta ky nuk mendon kështu… Por edhe frika nga zhurma botërore se do të hapet kapaku i “kutisë së Pandorës” ku rrinë paratë e fshehura nga mafiozë dhe qeveritarë të vendeve të varfëra, sigurisht që e shoqëron. “Panama Papers” është veç një sinjal. Është hera e parë kur bota po dëshmon angazhim publik për të gjetur paratë e fshehura. Por edhe ligji i ri (sipas Reformës në Drejtësi) për të hetuar qeveritarët e niveleve të larta, me siguri e bën të mendojë se “mjaft më!”.
Koha për të ikur, pse?
Sepse njerëzit kanë kuptuar se ku po i zhyt qeveria e tyre. Janë varfëruar deri në pikën e fundit. Mbi 400 mijë familje janë regjistruar në tabelën e varfërisë ekstreme, që do të thotë tre mijë lekë të vjetra në ditë për një familje me pesë anëtarë. Po shikojnë se nuk ka asnjë shpresë që qeveria të sigurojë as dy lekë për popull, anjë investim, asnjë shpërndarje humane për pasurinë e popullit. Të gjitha shkojnë o për tenderat qeveritar, o për luksin qeveritar. Qeveria ka shtuar borxhin aq sa sot mund të thuash se çdo individ ka një borxh prej 30 mijë dollarë. Ky është i vetmi vend në botë ku qeveria plaçkit sipas ligjit.
Po të ikë ky më vonë se tani afër, atëherë e keqja bëhet ferr.
Pse ka shpresë se do të ikë “me mot të mirë”!?
Arsyeja e parë:
Ka ardhur një moment kur njerëzit e kanë mbushur mendjen se kjo është një qeveri e keqe dhe antinjerëzore. Një njeri normal nuk mund të dalë në mbrojtje të antinjerëzores. Nuk mund të përfytyrohet më që populli të dalë në rrugë për të mbrojtur Edi Ramën në një kërkesë të tij për të rezistuar alias revolucion. Madje edhe votën nuk e shesin më “si dele”. Njerëzit mund t’i marrin lekët për votën kësaj here, por votën nuk e japin. E kanë shpirtin te hunda.
Arsyeja e dytë:
Edhe pse ky shpreson se Bashkimi Europian “po shpërbëhet”, të gjitha gjasat janë se Qytetaria Perëndimore është fitimtare mbi glob. Dje, ky tha plot gëzim se, “ky 9 maj, si festë e Europës, mund të jetë i fundit për Anglinë si anëtare e BE”, por nuk ka shenja se BE do të shpërbëhet. Edhe sikur të ndodhë “Brexit”, nuk ndodh shembja e Perëndimit demokratik… Ky i ka rrënuar edhe marrëdhëniet me Amerikën, e cila e ka syrin papushim në favor të lirisë së popujve dhe kundër qeverive autoritariste. Dje, ambasadori i SHBA në Tiranë lëshoi një frazë diplomatike dëshmuese. Ai tha se “edhe qeveria gabon”, pasi ky i Tiranës kishte provokuar se “aleatët gabojnë”. Edhe sikur ky të bëjë ndonjë veprim “lufte” ditën e fundit, aleatët ndodhen në krah të paqes për njerëzimin.
Por me siguri ky do të zgjedhë “mot të mirë”.
Arsyeja e tretë:
Edi Rama, si kryeministër, bie menjëherë kur Ilir Meta të lëvizë një gisht; veç kaq. Ilir Meta është kryetar i Kuvendit dhe aleat i kryeministrit në qeverisje. Mirëpo është një aleat përcaktues. Më shumë përcakton Meta ndaj Ramës se sa Rama ndaj Metës. Në marrëdhënien e egër mes tyre, kur Rama ka lëshuar sinjale underground se “me Amerikën do të burgos Metën!”, në fakt tani është Meta fitimtar. Meta nuk është ngatërruar hapur në urrejtjen kundër njeriut, është tërhequr prej modës së çorapeve të kuqe dhe xhaketës alias Mao në festën e Europës, është tërhequr edhe nga krahu i Ramës. Tani është e qartë se në çastin kur vendit do t’i duhet sekonda e ikjes së Ramës, këtë kartë e luan Ilir Meta.
Nuk shikoj shanse të tjera, megjithëse gropa që ky lë pas është e madhe dhe thellohet çdo orë, derisa të largohet.