Kriminalizimi i dekriminalizimit

288

Sokol GJONI

Truku i moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit dhe fshehja e të dhënave në formularët e vetdeklarimit, pasoi gjatë gjithë kësaj jave me një ekzibicionizëm politik dhe krekosje kaqolësh të sërës rilindiste, të cilëve, me sa kuptohej në qëndrimet patetike dhe egzaltuese të lidershipit politik të PS, u paskemi “rënë më qafë” për dyshimet e hedhura mbi të shkuarën e tyre. Afërmendsh, kuptohej, që ligji i dekriminalizimit nuk do të ishte kaq i thjeshtë për t’u zbatuar, pasi do të shkërmoqej struktura e krimit, i cili është strukturuar fuqishëm përmes politikës, duke depërtuar në të gjitha nivelet e pushteteve në Shqipëri. Natyrisht, përballë këtij kërcënimi, krimi dhe falangat e tij, do të viheshin në lëvizje të stukturuar për të ruajtur pozitat. Qesëndisjet e kryeministrit rreth numrave, deklaratat dhe namatisjet plot epsh që lëshohen çdonatshëm nga cironkat e tij, duke tentuar të spostojnë fenomenin në fjalë në derën e tjetrit, nuk ngjajnë me vullnetin e një force politike që kërkon të çkriminalizohet!!! PS-ja, është e shenjuar ndërkombëtarisht për depërtimin brenda saj të individëve me rekorde kriminale, madje, shumë nga këta individë janë shtrirë në të gjitha hallkat e pushtetit dhe të qeverisjes, duke e shndërruar në standard dhe filozofi partiake raportin me krimin. Ambasadori Donald Lu, (shyqyr zotit i pashqiptarizuar!) do të shënjestronte përveçshëm emra deputetësh të mazhorancës që kanë patur një të shkuar kriminale. Saga e dekriminalizimit, e afirmuar si një nga betejat më spektakolare të opozitës, finalizuar me miratimin e një ligji zhurmëmadh, është futur në lojën e perversitetit politik dhe të mekanizmave krimininalë të moszbatimit dhe  të zhbërjes së tij. Fshehja e të dhënave nga të zgjedhurit (deputetë, kryebashiakë) nxori në pah pislojën e propagandës politike për dekriminalizimin, si dhe përligji qëllimin e marrëdhënies që qeverisja ka ndërtuar me krimin struktural. Kryebashkiakë që kanë ndryshuar deri në gjashtë herë emrat, të tjerë që nuk mbajnë mend se përse janë arrestuar, ca të tjerë, ngaqë nuk i mbajnë mend (koha e trafikimit të naftës është e largët) nuk i kanë deklaruar fare, ca të tjerë…ca të tjerë, etj, etj. Ah, se desh harrova deputetët! Ngaqë nuk doli numri nëntëmbëdhjetë (siç kishte deklaruar opozita), debati mbi dekriminalizimin konsiderohet i mbyllur, dhe këtë na e thonë ca analistë të kastruar nga frika e dekriminalizimit. Rëndësia e zbatimit të ligjit në fjalë, padyshim, do të ishte një “mea culpa” e klasës politike ndaj shoqërisë shqiptare, pasi, aspirata integruese e jona nuk mund të kryqëzohet nga interesa okulte të pushtetarëve. Opozita, në betejën e saj më të pashoqe gjatë këtyre 26 viteve pluralizëm politik, ka dëshmuar qëndrueshmëri dhe qartësi në kërkesën e saj për dekriminalizim të institucioneve dhe të pushtetit, por misioni i saj, duhet të vijojë me një konsistencë akoma dhe më të madhe, pasi demokracia dhe institucionet kushtetuese të vendit janë të rrezikuara nga oligarkia sunduese, e cila gjatë këtyre tre viteve inspiroi në qeverisjen e saj modelin siçilian, si shprehje e lidhjes së saj me bandat dhe krimin e organizuar. Aksioni opozitar duhet formësuar së bashku me qytetarët, si një aleancë e pakompromistë në betejën e saj me dekriminalizimin, pasi kështu i bëhet një shërbim shumë i madh atdheut dhe kombit, duke çrrënjosur tentakulat e krimit që ka kapur qeverisjen e vendit dhe po minojnë funksionimin e institucioneve kushtetuese dhe rendin demokratik. Përtej shprehjes latine, ne nuk e meritojmë qeverisjen që kemi, ndaj është  emergjencë kombëtare largimi i kësaj shpure banditeske.