Si funksionojnë parajsat offshore

496

Parajsat apo strehat fiskale janë territore apo juridiksione që u mundësojnë personave jo rezidentë-që nuk banojnë ligjërisht në to-të shmangin detyrimet fiskale në vendet ku kryejnë realisht aktivitetin e tyre.
Në botë, sot janë rreth 80 streha fiskale-kryesisht vende me popullsi të vogël dhe ekonomi të papërfillshme, një pjesë vende të vogla ishullore. Belizeja, Panamaja, Ishujt Virgjin Britanikë, Ishujt Cayman, Seyschelles, Bermuda, Barbados, Anguilla, Ishulli i Manit, Jersey, Gjibraltari-janë disa nga vendet më të preferuara.
Disa vende të zhvilluara-përfshi Zvicrën, Luksemburgun, Qipron, Singaporin, Hong Kongun, etj-ofrojnë gjithashtu avantazhe fiskale e financiare, kryesisht përmes mundësimit të anonimatit dhe sekretit të lartë bankar.
Strehat fiskale janë vende që duke shfrytëzuar sovranitetin për të bërë ligje sipas vullnetit të tyre, kanë synuar të tërheqin paranë botërore përmes ofrimit të lehtësive ekonomike, ligjore e politike për të ndihmuar individë apo kompani të anashkalojnë apo shmangin krejtësisht ligjet, rregullat apo proçedurat në juridiksione të tjera.
Parajsat fiskale ofrojnë disa apo të gjitha lehtësitë e mëposhtme:
Lejojnë regjistrimin e kompanive nga jo rezidentë-kompani “offshore”;
Kanë nivel shumë të ulët taksash, shpesh taksim zero;
Kanë sistem bankar shumë pak të rregulluar;
Ofrojnë sekret bankar, duke mos kërkuar raportim të transaksioneve financiare që bëhen nga territori i tyre;
Nuk japin apo shkëmbejnë informacione financiare me vende të tjera;
Lejojnë kompanitë të zhvillojnë gjithë aktivitetin e tyre me kompani apo persona jo rezidentë, pra, bizneset ku të gjitha palët në transaksione janë jo rezidentë të vendit;
Lejojnë kompani guackë (“shell”)-kompani që nuk zhvillojnë aktivitet në vend, por vetëm regjistrojnë transaksione në letër;
Lejojnë mbajtjen sekret të strukturës organizative të enteve ligjore-shoqërive tregtare, fondeve, fondacioneve, etj-si dhe anonimatin e pronësisë dhe të drejtave në këto ente.
Natyrisht, këto lehtësira kanë mundësuar jo vetëm veprime legjitime për zvogëlimin apo minimizimin e taksave nga koorporata, por edhe mbështetjen e aktiviteteve kriminale, si pastrimin e parave apo fshehjen e pasurive të vënë me korrupsion.
Le të marrim një shembull ilustrues.
Le të supozojmë se kompania amerikane, Gringo Limon USA, me qendër në Chicago vendos të investojë në Shqipëri. Ajo themelon një filial në Tiranë, Gringo Limon Albania, të cilin e financon me 100 milionë dollarë për të blerë plantacione limoni dhe pajisje paketimi.
Kështu Gringo Limon Albania rrit, vjel, paketon, i vë markën Gringo Limon dhe e eksporton prodhimin e saj në Romë, ku limonët e saj shiten në supermarkata.
Le të supozojmë se në fund të vitit 2015, Gringo Limon Albania kishte fitim 10 milionë dollarë. Si rezultat, kompania duhet të paguajë 1,5 milionë dollarë tatim mbi fitimin.
Kompania e paguan të gjithë fitimin e saj në Shqipëri, por megjithatë nuk është e qartë se ku u krijuan fitimet finale: në Shqipëri ku u prodhuan limonët, në Itali ku u shitën, apo në Amerikë ku punuan financierët, menaxherët, juristët e kompanisë? Nëse janë krijuar nga të gjithë, sa është kontributi në fitim i punonjësve në Shqipëri, i emrit të kompanisë, i ekspertizës së menaxherëve të saj? Cila pjesë e fitimit duhet të taksohet në secilin vend?
Askush nuk mund ta thotë me siguri. Kjo pasiguri u lë shteg të hapur kontabilistëve dhe financierëve për ta vendosur ata. Madje për të gjetur mënyra “interesante” për të mos paguar në asnjë vend.
Ata i sugjerojnë presidentit të kompanisë mëmë, Gringo Limon USA, të krijojë një filial të kompanisë në Panama, të quajtur Gringo Limon Financial Services Panama. Filiali i Panamasë i jep filialit në Shqipëri një hua prej rreth 100 milionë euro me interes vjetor 10 për qind (edhe pse duket interes i lartë, nuk ka asnjë shkelje ligjore).
Në fund të 2015-ës, Gringo Limon Albania i paguan filialit të Panamasë 10 milionë dollarë si interes për huanë. Si rezultat, fitimi i filialit shqiptar bëhet zero dhe kompania paguan zero dollarë tatim mbi fitimin. Ndërkohë, filiali i Gjibraltarit ka shënuar një fitim 10 milionë euro në fund të vitit, por duke qenë se Panamaja është parajsë fiskale as atje nuk paguhet asnjë tatim mbi fitimin. Në këtë mënyrë, me anë të një operacioni nga një parajsë fiskale, kompania Gringo Limon USA shmangu 1,5 milionë dollarë taksa që duhej të paguante në Shqipëri.
Le të supozojmë, se tatimet shqiptare janë të kujdesshme dhe ja kanë bërë të qartë Gringo Limon Albania që do ta gjobisin nëse merr hua me interes 10 për qind ndërkohë që norma e interesit në treg është vetëm 4 për qind.
Në këto kushte, financierët e Gringo Limon ndërmarrin një tjetër manovër. Ata krijojnë një tjetër filial të kompanisë, këtë herë në Ishujt Cayman. Këtij filiali Gringo Limon USA i kalon pronësinë e markës “Gringo Limon”- tashmë të gjitha filialet e kompanisë për të përdorur markën duhet t’i paguajnë të drejtën e përdorimit këtij filiali.
Gringo Limon Albania e merr huanë nga Gringo Limon Gjibraltar me 4 për qind, duke kënaqur tatimet shqiptare, por i paguajnë 6 milionë dollarë filialit në Ishujt Cayman për të drejtën e markës “Gringo Limon”. Sërish, fitimet e filialit shqiptar në fund të vitit janë zero dhe po kaq edhe detyrimi tatimor. Ndërkohë filialet e Gjibraltarit dhe te Ishujve Cayman nuk paguajnë tatim mbi fitimin pasi janë të regjistruar në parajsa fiskale.
Përmes kësaj metode të uljes apo ngritjes artificiale të çmimeve mes filialave të tyre, korporatat multinacionale janë në gjendje që t’i “zhvendosin” fitimet e tyre në ato filiale ku taksat janë më të ulta, zakonisht në parajsa fiskale. Për shembull, Gringo Limon USA mund të vendosë që operacionet e saj të transportit t’i vendosë ne Belize, krahun e saj të siguracionit ta vendosë në Ishujt Virgjin, e kështu me rradhë, duke krijuar një rrjet transaksionesh që mundësojnë shmangien e taksave në nivele masive.
Të gjitha këto janë manovrime të dyshimta, por vështirë të konsiderohen apo provohen në gjykatë si të paligjshme. Por, nga ana tjetër, parajsat fiskale shërbejnë për të mbështetur e mbuluar aktivitete haptazi kriminale.
Duke ju kthyer shembullit tonë, le të supozojmë, se tatimet shqiptare janë prapë dyshuese dhe mbasi bëjnë një kontroll të ri e akuzojnë firmën Gringo Limon Albania për veprime mashtruese financiare, për të cilat ajo rrezikon gjobë dhe sanksione të tjera ligjore. Në këto kushte, drejtuesi i Gringo Limon Albania i ofron funksionarit tatimor një bakshish prej 0,5 milionë dollarë për ta ndërprerë kontrollin dhe për të garantuar vazhdimësinë e “qetë” të punës së kompanisë në të adhmen.
Funksionari i tatimeve pranon, por Gringo Limon Albania nuk ka si t’ja japë paratë në dorë, ndërkohë që drejtuesi i tatimeve nuk mund t’i presë paratë në llogari bankare pa u zbuluar.
Drejtuesi i Gringo Limon Albania i propozon funksionarit tatimor që t’i hapë atij një kompani në Panama. Gringo Limon Albania do ta “kontraktojë” këtë kompani të tatimorit për “shërbime konsulence” kundrejt pagesës 0,5 milionë dollarë.
Kjo zgjidhje garanton siguri pasi askush nuk mund ta zbulojë dot pronësinë e funksionarit të tatimeve në kompaninë panameze. Nga ana e saj, Gringo Limon Albania faturon jo një bakshish, por një shërbim biznesi të cilin e përfshin në bilancin e kompanisë. Në këtë rast, Gringo Limon paguan sërish zero dollarë tatime (edhe pse kostoja e biznesit ju rrit me 0,5 milionë dollarë të kostos së korrupsionit).
Parajsat fiskale ofrojnë mundësi të shumta për aktivitete kriminale apo fshehje të përfitimeve prej tyre. Ato përdoren, veçanërisht, nga politikanë dhe familjarë të tyre për të siguruar pronësi në biznese apo për të kanalizuar përfitimet korruptive.
Skemat që përfshijnë kompani të regjistruara në parajsa fiskale po bëhen të zakonshme edhe në Shqipëri. Duke filluar me Bankers Petroleum-që e siguroi koncesionin në Shqipëri duke qenë e regjistruar në një parajsë fiskale,-duke vazhduar me kompaninë DIA të përfshirë në skandalin e mbledhjes së borxheve të CEZ-it e deri tek disa kompani që aktualisht po negociojnë kontrata koncesionare duke qenë të regjistruara në parajsa fiskale.

“Exit.al”