Shqiptarët, të parët në listat e azilkërkuesve në Hollandë

511

Shtetasit shqiptarë vazhdojnë të jenë të parët në listën e kërkesave për azil në Holandë, pavarësisht apelit të vazhdueshëm të partive politike, për të mos zbarkuar në këtë vend. Sipas shifrave të fundit zyrtare, të publikuara nga ministria për drejtësi dhe siguri, në shtatë ditët e fundit, nga 300 azilkërkues që mbërritën në Golandë, 50 janë shtetas shqiptare. Edhe muajin e kaluar, shtetasit shqiptarë, përbënin grupin më të madh të azilkërkuesve të ardhur në Holandë. 225 shqiptarë që parashtruan kërkesën për azil vetëm gjatë muajit mars, shifra këto, që befasuan edhe qeverinë holandeze, pas inicimit të masave shtrënguese, që tentonin të ulnin fluksin. Në janar një delegacion holandez vizitoi Tiranën për të arritur një marreveshje me qeverinë Shqiptare për deportime të pershpejtuara nga Holanda. Por deri sot, asnjë deportim nuk është realizuar.
E shqetësuar nga ky trend, qeveria holandeze ka ndërmarrë masa për ta kufizuar valën. Që nga vera 2015, numri i aplikimeve për azil nga Shqipëria është rritur dhe arriti 1010 në fund të vitit. Deri më 2014 vetëm disa dhjetëra shqiptarë kërkonin azil në Holandë çdo vit.
Ky trend i rritjes vazhdoi në dy muajt e parë të 2016, kur 480 shqiptarë kërkuan azil. Sipas zyrtarëve holandezë, numri u shtua në mars, megjithëse shifrat ekzakte të shqiptarëve, sirianëve dhe aplikantëve të tyre mbeten ende për t’u zbuluar. Ministria tha se shqiptarët tani renditen të parët për nga kërkesat për azil. Numrat e atyre që kanë marrë përgjigje pozitive për kërkesat mbeten të ulëta. Më 2015, vetëm katër shqiptarë fituan leje të përkohshme banimi, ndërsa 795 aplikantë u refuzuan.
Megjithëse numrat e aplikantëve shqiptarë për azil në Holandë mbeten më të ulët se në Gjermaninë fqinje, ku rreth 55,000 shqiptarë kërkuan azil vitin e shkuar, qeveria holandeze është shqetësuar nga fluksi.
Ajo ka miratuar mjete të reja në përpjekje për të kontrolluar dhe ulur numrin e azilkërkuesve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pjesë e kësaj përpjekjeje, zyrtarë të qeverisë holandeze vizituan Tiranën në janar për të rënë dakord me qeverinë shqiptare për mënyra të reja të rikthimit të azilkërkuesve të refuzuar. Pas vendimit të BE-së për heqjen e vizave me Shqipërinë më 2010, shqiptarët mund të udhëtojnë në vendet Shengen pa viza. Megjithatë, kur një shtetas shqiptar aplikon për azil, ai ose ajo automatikisht shkel rregullat e regjimit pa viza. Kjo është arsyeja përse vendet e BE-së mund të ndalojnë hyrjen e shtetasve shqiptarë për shtatë vite në BE nëse nuk duan të kthehen në shtëpi.
Gjatë bisedimeve në Tiranë, dy qeveritë ranë dakord se qeveria holandeze mund të përdorë fluturime çarter për të sjellë në shtëpi azilkërkuesit e refuzuar. Kështu, Holanda nuk varet më nga fluturimet e programuara dhe mund t’i kthejë më shpejt shqiptarët. Megjithatë, pavarësisht hapave për të kthyer në shtëpi me shpejtësi aplikantët e refuzuar, numri i shqiptarëve që aplikojnë për azil në Holandë po rritet. Sipas Ministrisë holandeze të Sigurisë dhe Drejtësisë, deri më 14 mars 2016, 1074 shqiptarë u akomoduan në qendra të azilit në Holandë.
Kur “BIRN” i pyeti ata përse u larguan nga Shqipëria për në Holandë, shumica thanë prej mungesës së punës dhe situatës së vështirë ekonomike. Emiljano, 37-vjeçar, që jetonte në Oss, tha se u largua prej situatës ekonomike dhe problemeve personale në Shqipëri. Ai i tha “BIRN” se ishte hedhur nga njëri vend europian në tjetrin duke kërkuar azil, nga frika e sigurisë personale në shtëpi. Kastrioti, 58-vjeçar, i tha “BIRN” se u largua nga Shqipëria prej mungesës së kujdesit shëndetësor dhe trajtimeve mjekësore. Me diabet, ai ka mundur të marrë ndihmë mjekësore falas në Holandë, ndërsa pret një përgjigje për kërkesën për azil. Ai u largua fillimisht për në Gjermani për të kërkuar azil atje, por vazhdoi në Holandë ndërsa familja e tij qëndroi në Gjermani. Siç shkroi edhe “BIRN” në nëntor, nën të ashtuquajturat rregulla të Dublinit, vendi ku bëhet kërkesa fillestare për azil është përgjegjës për t’u marrë me atë kërkesë.
Në teori, vetëm vendi i parë ku aplikohet për azil mund të shqyrtojë një çështje. Një kërkesë në një vend të dytë do të mohohet dhe do të kthehet në vendin e parë të aplikimit. Pavarësisht kësaj, shqiptarët përdorin procedurat e ngadalta dhe burokratike të azilit për të qëndruar për një periudhë më të gjatë në Holandë. Megjithëse shqiptarëve u mungojnë arsyet për të marrë azil në Holandë, disa ankohen rreth kushteve në kampet e azilit në Holandë. Emiljano tha se ai kishte zgjedhur Holandën sepse vendi “përqafon të drejtat e njeriut dhe i ka promovuar këto vlera”. Por ai tha ishte zhgënjyer nga kushtet ku jetojnë azilkërkuesit në Holandë. Duke theksuar gjendjen e keqe të ushqimit që ai tha se ia jepnin në kamp, Emiljano shtoi se ndonjëherë ka vjedhur për të ngrënë atë që preferonte.