Shqipëria, e dyta në rajon për kostot më të larta të udhëtimeve

226

Shqipëria është një ndër vendet më të shtrenjtë për turistët, sipas Indeksit të Kostove të Udhëtimit 2016 të Numbeo. Me një pikësim prej 39.49, vendi ynë është më pak i shtrenjtë vetëm se sa Podgorica, e cila udhëheq për indeksin më të lartë prej 41.30. Pjesa tjetër e rajonit mbetet në nivele më të ulëta se sa Shqipëria, më e lira prej tyre duket se është Shkupi, Maqedoni. Numbeo, një ndër faqet e të dhënave më të aksesuara në botë ka nxjerrë sipas shifrave të 2016 një renditje rajonale të Indeksit të Kostove të Udhëtimit. Indeksi i Kostove të udhëtimit merr në konsideratë çmimet për një udhëtar në një shtet të caktuar, duke analizuar se sa i kushton atij 3 vakte në restorant, 6 pije, 4 lëvizje me taksi dhe një natë hotel. Në rastin e Shqipërisë, një vakt në restorant kushton mesatarisht për dy persona 2500 lekë, për pijet të dhënat tregojnë se birra vendase kushton 116.66 lekë një shishe, ajo e importuar për një madhësi prej 0.33 l kushton 181.77 lekë, kapuçino kushton 141.40 lekë, një shishe 0.33 litër cola ose pepsi kushton 107.90 lekë dhe një shishe ujë 0.33 l kushton 55.34 lekë (një mesatare e çmimeve të mësipërme sipas të dhënave të Numbeo për 2016). Ndërsa për lëvizjen me taksi, Shqipëria e ka shërbimin e këtij transporti më të shtrenjtë në Ballkan, sipas përllogaritjes tarifa normale është 2.16 euro për km, ndërsa i dyti më i shtrenjtë pas nesh është 1.50 euro Prishtina. Sa i përket një natë akomodimi në vendin tonë, mesatarisht po sipas të dhënave të Numbeo, në Tiranë çmimi për një natë në një hotel me tre yje, kushton 5,487.56 lekë. Një tjetër kosto që duhet menduar se i shton “peshën” e të shndërruarit të Tiranës në një nga qytetet më të shtrenjta në rajon, është çmimi i naftës. Në Tiranë, sipas Global Price Petrol çmimi është 1.29 dollarë. Ndërsa qytetet e tjera ballkanase, e kanë çmimin përkatësisht Beogradi 1.18 USD euro/litër; Podgorica 1 USD/litri, Shkupi 0.85 USD/litër; Prishtina 1 USD/litër.