Ministër “ta du mamin”

206

Petrit Kuçana

U fol që “Borati” do të ishte shqiptar. Ishte mrekulli që nuk u bë, (ca thonë që u punua shumë për ta “dërguar” Boratin në Kazakistan”) E megjithatë doli ndonjë film nga ata “Taken” e tek tuk ndonjë lajm tipik i kronikës së zezë, që gati-gati futet në përditshmërinë angleze ku gërvishej ngapak imazhi shqiptar për të rikthyer në kujtesë atë A.Gill që na gërrici pak nervat, me “orën e mbetur” të shqiptarëve.
Më shumë poshtëruese sesa neveritëse, ishte ajo tabloja  “seriozisht” e gjetur, shoqëruar me një shkrim-reportazh tipik anglez të një të dërguari atje. Vetëm pak larg Tiranës, disa kilometra.
Ishte një eklips (krejtësisht i pabesë) për të gjithë shqiptarët (sidomos ata të Britanisë së Madhe) që u duhet të përballojnë këtë goditje që shtrin përtokë gjithçka të tyren. Krenaria paloset nën trishtimin e fjalëve të sinqerta të Qemalit se; “Këtu nuk ka ndihmë nga shteti”, apo “Nëse nuk punon, vdes”. E mbase do të mjaftonin ato fotografitë natyrisht “të gjetura” të shkrimit dhe një fjali e vetme se “Thuajse gjysma e popullsisë së Shqipërisë jeton nën nivelin botëror të varfërisë, me 5 dollarë në ditë”.
U “qartësua” Shqipëria (jo vetëm me flamurin mbi Backingham Palace) edhe tek ata britanikë që perceptimin e kishin të pështjelluar si një vend diku lindor, natyrisht i varfër, e ndoshta edhe tek ndonjë që ka dëgjuar që ka bregdet të bukur, që ka çmime të lira apo nuk është aq vend i sigurtë…Mbase nuk pati asnjë surprizë për ata që besuan për “orëvjedhësit” e ish-Presidentit amerikan Bush.
I vetmi shërim për “imazhin” e Shqipërisë mund të kishte qenë “marrja në bllok” e disa vendeve si Shqipëria, Bosnja (Serbinë nuk do të guxonin me siguri) … etj., etj., por ja u zgjodh Shqipëria, (Boratit ja gjetën atdheun) lehtësisht… Më kot hamendësojmë se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të ishte Serbia në vend të Shqipërisë… Serbia nuk mund të imagjinohej të mos kishte ambasador në Londër. Ne po s’kemi problem. Ka gjashtë muaj që nuk kemi mundur të gjejmë një ambasador për Londrën, e nëse shqiptarët e Britanisë duhet të ulin kokën përballë tablove të tilla, duhet të frenojnë imagjinatën në “reklamat e fuqishme” të vendeve fqinje Kroacisë apo Turqisë që me kohë kanë nisur fushatën e turizmit. Ne akoma nuk e dimë nëse do të çlirojmë Rinasin, ku çmimet e biletave për Tiranë dhe New Jork janë të njëjta. Çfarë mund të ndodhte më keq se kaq? (Shullazëzimi i lajmeve vazhdon).
Ato reklamat e kryeministrit tonë tek “The Economist” sikur nuk hynë shumë në punë dhe as që mund të flitet për asnjë strategji sesi mund të sjellim në Shqipëri kompani britanike për investime apo thjesht turistë britanikë.
E krejt natyrshëm përpëlitemi të mendojnë për ata PR-ët, njëshat e botës… ata këshilltarët falas që ja na duhen më shumë se kurrë dhe nuk po thonë asnjë gjysmë llafi dreqi e mori. Mbetet e neveritshme nëse ata “përdoren” për përdorim të brendshëm, për t’u treguar shqiptarëve se janë mirë, se po jetojnë mirë, se janë bërë hapa përpara se po bëhet shtet… Ku dreqin janë ata PR-et e qeverisë, lobingjet, ambasada …
S’ka sesi të jetë ndryshe… Qemali, gomarshitësi i Gërdecit mbase nuk e di që Shqipëria në Londër nuk ka ambasador, por ai i di shumë gjëra të tjera, që i sheh me sy përditë dhe i ndjen në përditshmërinë e tij… Ambasada? Në Londër Shqipëria s’ka akoma ambasador, prej gjashtë muajsh? Në Londër? Akoma s’kanë gjetur ndonjërin që t’i shkollojë fëmijët këtej të paktën? Akoma nuk u nda pazari…
Nëse ndonjë rreper shqiptar nga ata më “soft” do të gjendej në Londër dhe do t’i dinte disa të vërteta, apo qoftë edhe të vërtetën se shteti shqiptar nuk e sheh “të arsyeshme” të përfaqësohet me ambasador në Londër, së paku do të shkruante ndonjë këngë ministrit të Jashtëm, si ato këngët “Ta du mamin”…dhe jo vetëm ty…