Lufta e Tretë kodohet “Panama…”

359

Frrok ÇUPI

Kjo që ndodhi me “Panama Papers” nuk erdhi nga qielli. Liderët botërorë të politikës, show-t dhe krimit kanë fshehur miliarda dollarë në Panama offshore. Deri tani janë zbuluar nga 140 shtete… Asgjë nuk erdhi nga qielli. Popujt e dinin se po grabiteshin nga liderët politikë e qeveritarë, se po skllavëroheshin nga njerëzit e famshëm dhe po vriteshin nga kriminelët. E dinin gjithashtu se, shteti po tkurrej dhe nuk po funksiononte në favor të individit. Por nuk dinin veç një gjë të thjeshtë: Se gjithçka ishte grumbulluar në Panama…
… Në fakt, edhe tani kur popujt kanë mësuar se në Panama është mbledhur gjaku i tyre i grabitur, akoma mund të mos dinë se Panamaja nuk është e vetmja. Panamaja thjeshtë u shpall si “Polonia” e Luftës së Dytë. Përveç Panamasë, krimi do të jetë përhapur në disa vende të tjera të botës. Dje, njëra nga dy partitë e majta në koalicionin qeverisës shqiptar, deklaroi se nuk është veç Panamaja. Partia në pushtet hodhi dyshime edhe mbi një fushë më të gjërë të parajsës fiskale, e cila identifikohet “që nga Qipro, ishujt Bahamas, Dubai, Monako, etj”. Partia në qeverisje çoç di më shumë se të gjithë të tjerët!…
Por “Polonia” e Nazizmit tashmë ndodhet në Panama. Aty janë drejtuar sytë e gjithë popujve, aty po fillon gjithçka. Njësoj si terrorizmi hitlerian mbi popujt e pambrojtur dhe mbi njerëzit e vuajtur, tani po zhvillohet terrorizmi financiar. Mediat frankofolëse dje shkruan “Je suis Panama!”.
Sa shumë elementë të përbashkët mes Luftës së Dytë kundër Nazizmit dhe Luftës së Tretë kundër Terrorizmit Financiar po shfaqen minutë pas minute!…
1.
Bota u nda përsëri në dy kampe. Kampi Lindor ku, natyrisht, shfaqet më i rëndë krimi financiar kundër popujve, po bën si viktimë. Dje dhe pardje liderët e Kinës dhe të Rusisë reaguan shumë ashpër kundër zbulimit të krimit në “Panama Papers”. Kina bllokoi informacionin në internet, duke deklaruar se kjo bëhet nga CIA Amerikane me keqdashje ndaj udhëheqësve të Kinës. Ndërsa Rusia deklaroi se faktet e zbuluara rreth presidentit Putin janë një “putinofobi”… Të tjerët akoma nuk kanë reaguar, përveç presidentit të Ukrainës, i cili po bën “qingjin e butë” të përkëdhelur nga Perëndimi. Reagimet do të ndihen në Ballkan ku popujt janë akoma më të varfëruar nga qeveritë e tyre të korruptuara.
… Ndërsa në Perëndim reaguan ndryshe. Kryeministri i Irlandës, i përmendur në mes 11 milionë dokumenteve të “Panama Papers”, dha dorëheqjen menjëherë.
Në Londër, ku Kryeministri Cameron ishte konsideruar i pakorruptueshëm, opozita tha se do t’i drejtohet “qeverisjes së drejtpërdrejtë”. Babai i ndjerë i Cameron u gjet në letrat e “Panama Papers”. Në Itali dhe në shtete të tjera perëndimore të origjinës së mafies, akoma nuk ka reagime.
Por sidoqoftë, të dy anët e botës u danë përsëri, si dikur. E përbashkëta, si dikur Nazizmi, tani është Paraja. Terrorizmi financiar ka prekur miliona njerëz. Veç në vendet e prapambetura, ku hyn edhe Shqipëria, çdo vit humbin rreth 100 miliardë dollarë.
Lufta në kërkim të parave të vjedhura në xhepin e të varfërve, nisi. Kjo është më e tmerrshmja. Tani nuk dihet cilët do të ngrihen të parët për të kërkuar paratë e vjedhura.
2.
Lufta e Tretë duket si luftë për para, por thellë thellë është luftë për pushtet. Vitet që nga Lufta e Dytë ku u shfaqen heronjtë e nacionalizmit, kanë rrënuar kolonat e shtetit. Ka rënë demokracia! Që nga shtete të vërteta e deri te qeverisjet e këqija si kjo e Tiranës, shkelen përditë parimet e demokracisë. Qeveria e majtë e Tiranës prej kohësh po vepron si në një shtet pa sistem politik. Që nga strukturat partiake dhe deri në strukturat e shtetit, qeveria ka mohuar principet e demokracisë. Prej kohësh qeveria aspirante për BE, po thotë me zë të lartë se Europa është pa vlerë, dhe e përçarë. Të njëjtët zëra vijnë edhe nga Moska, Pekini dhe Lindja e Mesme. Në këto vende udhëheqësit janë pjesëmarrës në “Panama…” dhe prandaj dinë sekrete të dobësisë së Europës.
Duke u kthyer te rënia e demokracisë…. Kjo ka ndodhur pak nga pak që pas Luftës së Dytë. Tani kur po shikojmë “ajsbergun Panama”, po kuptojmë se tërë lëvizja për rrëzimin e demokracisë është kryer me qëllimin për të arritur te Parajsa Financiare.
Vetë Parajsa Financiare, e manifestuar në Panama, dëshmon se tashmë Demokracia është veç një zarf bosh. Paratë e grumbulluara në Panama Papers, Qipro, Dubai, Monako, ishujt Bahamas etj., personifikojnë “fuqinë ushtarake” me të cilën do të merret dhe mbahet pushteti për dekadat e ardhshme, siç ndodhi pas vitit 1945. Ndërsa në fund të Luftës së Dytë, krerët e shteteve fitimtare u mblodhën në Potsdam dhe në Jaltë për të ndarë territoret dhe pushtetin, kësaj herë ndodh në Panama e gjetkë. Paratë e vjedhura nga popujt do të përdoren për të blerë pushtetin e popujve. Ja kaq thjeshtë do të vijë “Jalta” e “Postdami” në çdo shtet. Qytetarët tashmë nuk kanë asgjë në dorë për të zgjedhur pushtetin ose për të rrëzuar qeveritë. Paratë e vjedhura nga xhepat e popujve do të krijojnë qeveritë dhe do të shtypin popujt. Njësoj si ideologjia komuniste e pas-Luftës së Dytë, kësaj here e çimenton paraja pushtetin.
3.
A priten trazira popullore?
Dje filluan në Islandë, por kryeministri hapi shpejt tamponët duke dhënë dorëheqjen. Në Britaninë e Madhe po projektohet qeverisja direkte. Në Amerikë ka një valë të tërë kundërshtish mbi zgjedhjen e Presidentit të ri. Mr. Trump po konsiderohet një luftënxitës dhe një “Hitler i ri”.
Po me Lindjen e Mesme ku “gia” zhvillohet luftë? Njerëzit e pa shpresë të këtyre rajoneve do të manifestojnë një mungesë më të madhe shprese.
Ndërsa popujt e shtypur nga Nazizmi i ri Komunizëm, nuk dihet akoma si do të reagojnë. Shqipëria, si shteti ku u ngul më keq dhuna komuniste, është akoma në jermin komunist. Qeveria e Tiranës trumbeton përditë parajsën. Në momentin kur njerëzit do marrin vesh se kjo ishte parajsë jo për popull, por parajsë financiare për qeverinë, atëherë nuk dihet çfarë do të ndodhë. Në vitin 1997 u dogj vendi, veç pse u prekën xhepat e qytetarëve nga skemat piramidale.
Gjithë Lindja ish-komuniste e kupton sa pak kushton jeta e njeriut para qeveritarëve. Aq më tepër tani pas dy dekadash shpresë të kotë! Kjo mund të jetë epoka e zgjimit të vërtetë të popujve. Jo “Rilindje e komunizmit” e qeverive të Sadamit të Irakut dhe të Tiranës.
Panamaja do të shkaktojë dallgët e mëdha pas Luftës së Dytë.