Kontrabanda, Crown Agents: Si zbuluam 1 mln euro evazion nga importi i grurit

336

Gruri është një nga artikujt më të importuar në vend, ndaj dhe kontrabanda në këtë produkt duket se është e pranishme.
Nga kontrollet dokumentare, gjatë krahasimit të importeve dhe eksporteve të grurit të kryera në një kompani shqiptare, e cila importonte kryesisht nga Rusia, Crown Agent kompania e Konsulencës në Dogana, të cilës iu ndërpre kontrata nga qeveria shqiptare për vitin e tretë, konstatoi mospërputhje të madhe të stokut të grurit.
“Duke qenë se gruri ishte importuar për t’u përpunuar dhe për t’u ri-eksportuar, ishte i përjashtuar nga detyrimet doganore. Kontrolli pas zhdoganimit mbi këtë kompani, i kryer bashkërisht prej ekipeve të Crown Agents dhe specialistëve të Drejtorisë së Kontrollit Pas zhdoganimit, identifikoi rreth 20,000 ton grurë të padeklaruar që mungonte në magazinën e kompanisë e që përbënte evazion të dyshuar të detyrimeve doganore në vlerën e 1 milion euro” bën të ditur, Crown Agents në një raport zyrtar ku ka përmbledhur aktivitetet e punës në Shqipëri.
Crown Agents, pohon se, kontrolli me bazë risku është një element mjaft efikas për zbardhjen e evazionit fiskal.
Për të testuar vlefshmërinë e kësaj analize, Njësitë Operacionale të Crown Agents shkuan për të kryer kontrolle të ngarkesave, të cilat ishin profilizuar për kontroll fizik bazuar në një numër të përzgjedhur profilesh risku për ngarkesa ekzistuese.
Bazuar tek këto kontrolle, shkalla goditëse e zbulimit të parregullsive dhe shkeljeve u rrit nga përafërsisht 1% në 13.6% në njërin prej profileve të riskut, ku u arrit kapja e një sasie të madhe materiali lëkure dhe ngjitës të padeklaruar.
Në një ushtrim të dytë, skuadrat e Crown Agents kryen 18 kontrolle fizike ku u arritën katër rezultate pozitive që do të thotë 22% shkallë goditëse. Ky kontroll përfshiu 2 raste të keqklasifikimit tarifor dhe keqpërshkrimit të mallit dhe 2 raste që kërkonin rivlerësim doganor në mënyrë që të barazonin vlerën e referencës mbi këto lloje mallrash. Një tjetër rezultat i këtij rishikimi ishte modifikimi i kritereve për 14 profile risku, fshirja e 10 të tjerave e krijimi i 10 profileve të reja.

Kontrabanda me naftën e importit

Ekspertët e Crown Agents vitin që shkoi kryen një kontroll mbi veprimtarinë e flotës së anijeve shqiptare të peshkimit nga ku rezultoi se këto anije përdoreshin për importimin e sasive të mëdha të karburantit ‘duty free’ të ardhur nga portet e Italisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Të dhënat e marra nga Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës treguan që në periudhën 1 janar–12 mars 2015, kishin hyrë rreth 2 milionë litra karburant ‘duty free’, ku çmimi i blerjes së karburantit ishte shumë herë më i ulët se sa ai i marrë prej burimeve të ligjshme shqiptare. Indikatorë të qartë risku sugjeronin se këto importe karburantesh bëheshin për të shmangur taksat, duke e shitur karburantin në mënyrë të paligjshme brenda vendit. Provat e mbledhura iu raportuan Doganës së bashku me rekomandimet për të forcuar kontrollin e importit të karburantit. Në muajin korrik u prezantua një udhëzim i ri, i cili i detyronte pronarët e këtyre anijeve të peshkimit të regjistroheshin si taksapagues, të depozitonin një deklaratë doganore dhe të paguanin TVSH-në për çdo lloj karburanti të huaj ‘duty free’. Gjithashtu rregullat e reja kërkojnë, që karburanti i importuar për anijet e peshkimit të jetë i shënjuar e i ngjyrosur për të lehtësuar identifikimin e statusit ‘duty free’ të këtij karburanti. Si përfundim, pati një rënie drastike të fenomenit të furnizimit të anijeve shqiptare të peshkimit me karburant nga vende të tjera, për ta shitur më pas në Shqipëri.
Kontrabanda me naftën e vendit
Crown Agents në një sqarim zyrtar shpjegon se, prodhimi vendas i naftës është një sektor jetik për sa i përket të ardhurave që mblidhen për buxhetin e shtetit. Për këtë qëllim Crown solli ekspertë afat-shkurtër shtesë për të kryer një rishikim të kontrollit doganor në kompanitë kryesore prodhuese. Raporti i ekspertit përfshiu ndër të tjera disa rekomandime që synojnë uljen e riskut të rrjedhjes së të ardhurave dhe përmirësimin e sistemeve audituese dhe kontrolluese. Një prej rekomandimeve të implementuara nga Dogana ishte një program i përbashkët kontrolli për karburantet. Kjo përfshinte kontrolle në rrugë, pra ndalimin e autoboteve dhe kontrollin e karburantit në to dhe gjithashtu kontrollin e depozitave të paregjistruara të karburantit. Nën drejtimin e grupeve operacionale të Crown Agents u kryen një sërë kontrollesh në periudhën mes muajit korrik-dhjetor 2015. Këto kontrolle u kryen në bashkëpunim me personelin e akcizës në administratë dhe me kompaninë përgjegjëse për markimin e karburanteve. Crown bën me dije se, ky bashkëpunim rezultoi në zbulimin e më tepër se 120 rasteve të karburantit të tregtuar jo në përputhje me ligjin, në një total prej më tepër se 48,000 litra.