Venecia foli! Pse Rama po e bllokon Byronë e Hetimit?

277

Reforma në Drejtësi dhe në veçanti ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit është një moment delikat i politikës shqiptare, ku dallohen edhe më qartë diferencat mes mazhorancës dhe opozitës. Komisioni i Venecias, në mënyrë të përsëritur dhe të qartë, në të dy rekomandimet e dhëna, ato paraprake dhe përfundimtare e kërkon Byronë Kombëtare të Hetimit një institucion të pavarur krejtësisht nga qeveria, duke respektuar Kushtetutën e Shqipërisë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimin e palëkundur të Partisë Demokratike.

“Modelet për përzgjedhjen e këtyre zyrave variojnë. Në disa raste zyra e prokurorit të kësaj njësie mbetet zyrtarisht pjesë e strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme, por si një njësi e pavarur, që nuk mund të instruktohet nga të tjerë, shefa të tjerë, qoftë prokurorë apo nga qeveria”. Ky është vendimi përfundimtar rreth Byrosë Kombëtare të Hetimit që ka dhënë Komisioni Venecias më 26 shkurt të këtij viti, duke rrëzuar në kosh të plehrave projektligjin e qeverisë që kërkonte ta vinte këtë institucion nën varësinë e ministrit të Brendshëm, kupto kryeministrin. Ekspertët e Venecias kanë thënë se ky institucion mund të jetë tërësisht i pavarur, por kurrë nën varësinë e qeverisë.

Ka mbi dhjetë ditë që opinioni është bërë publik dhe kryeministri Rama nuk ka bërë asnjë hap, qoftë edhe procedurial për tërheqjen mbrapsht të projektligjit të tij dhe rikthimit tek varianti kushtetues i ngritjes së njësisë antikorrupsion. Mungesa e gatishmërisë së tij për t’u rikthyer në hullitë e ligjit dhe Kushtetutës nuk është ndonjë surprizë, pasi e ka treguar se informaliteti, krminaliteti dhe korrupsioni janë politikat e zgjedhura nga Rama dhe banda e tij për të grabitur këtë vend dhe dhunuar këtë popull.

Byroja, e ëndërruar prej tij si një njësi gjuetie në dorën e kryeministrit për të ndëshkuar kundërshtarët e tij politikë, tani që Venecia thotë se duhet ngritur dhe të funksionojë e pavarur, është shndërruar në një tmerr për këtë pushtet, që është mbuluar me skandale të përditshme aferash kriminale dhe korruptive, që po mbajnë erë dhe kanë ngritur qytetarët në protesta të përditshme. Rama e bllokon ngritjen e njësisë antikorrupsion, pasi e di se ai dhe banda që qeveris janë të ekspozuar ndaj veprimit të ligjit dhe nuk ka vrimë ku të futet pa dhënë llogari për vilat që ka në mbarë vendin, për 200 milionë dollarët që ka dërguar në parajsat fiskale, për tenderat dhe koncesionet, për Parkun e Spitallës që i dha vëlla Olsit, për procedurat korruptive që ndjek në vijimësi, për grabitjen banditeske që i bën pasurive kombëtare dhe financave publike.

Bllokimi që i bën Byrosë e lë zbuluar në propagandën që bën për reformën në drejtësi, pasi ka dëshmuar se nëse nuk e merr nën kontroll këtë sistem, ai është gati ta lërë siç është dhe të injorojë çdo kërkesë të opozitës, Venecias, SHBA dhe Bashkimit Europian. Për të institucionet dhe pushtetet nuk janë instrumenta në shërbim të qytetarëve, por hallka që duhet t’i shërbejnë qëndrimit të tij sa më të gjatë në pushtet. Të njëjtin model uzurpimi dhe kapjeje që bën me statutin dhe institucionet e Partisë Socialiste kërkon ta bëjë edhe me Kushtetutën dhe institucionet e shtetit shqiptar. Në të dyja rastet përdor banditët e tij për të mbytur zërat kritikë dhe për të “votuar” ndryshimet që kërkon të realizojë.

Byroja Kombëtare e Hetimit, apo Njësia Speciale Antikorrupsion, sikurse edhe Reforma në Drejtësi sa janë imediate dhe të pashmangshme për t’u miratuar, kanë shërbyer jo thjesht si një ekspoze e dy filozofive qeverisëse që përfaqëson pushteti dhe opozita, por edhe si një grackë publike për kusarë dhe banditët si Rama dhe grupi i tij në pushtet. Qytetarëve të thjeshtë nuk ju është dashur të presin Byronë dhe Reformën në Drejtësi për të kuptuar se përse janë varfëruar më shumë, përse krimi ka mbuluar qytetet e tyre, përse nuk ofrohen më shërbime publike shëndetësore, arsimore dhe jetike për ta. Por, Byroja dhe Reforma në Drejtësi garantojnë largimin e kësaj klike kriminale që na qeveris, ndëshkimin e tyre të sigurtë, dhe nuk do lejojnë më që pushtetarë të tjerë të vijnë dhe të shkatërrojnë jetën e qytetarëve, duke përdorur forcën e bandave për të vjedhur votat dhe për të vjedhur pasuritë dhe çdo gjë të vlerëshme në këtë vend.