Taksa e tabelës, bizneset e Tiranës do paguajnë 6 milionë euro më shumë në 2016-n

285
Veliaj tjetër gjobë bizneseve
“Taksa e tabelës për tabelat identifikuese deri në 2 m2 kjo taksë do të jetë zero, pra do të shfuqizohet. Cilido që ka një biznes dhe dëshiron ta identifikojë atë nuk do duhet t’i paguajë Bashkisë as edhe një qindarkë. Për tabelat mbi 2 m2, pra për tabelat reklamuese kjo taksë nuk do të ndryshojë, por do të mbetet në nivelin e mëparshëm prej 45.000 Lek/në vit”. Ky është konstatimi i bashkisë Tiranë në relacionin e projektbuxhetit 2016.
Në kundërshtim me këtë konstatim, vetë bashkia ka planifikuar në projektbuxhet që të ardhurat, vetëm nga tabelat identifikuese të dhjetëfshohen, nga rreth 3.6 milionë lekë në 360 milionë lekë.
Ndërsa të ardhurat nga tabelat reklamuese planifikohen të rriten nga 238 milionë lekë në 700 milionë lekë.
Në total të ardhurat nga taksa e tabelës pritet të rriten nga 241 milionë lekë në 2015 (planifikim), në mbi 1 miliard lekë në 2016-n, pra 819 milionë lekë (rreth 6 milionë euro) më shumë, ose gati 4 herë më shumë se niveli i pritshëm për 2015-n.
Sipas tabelave të vetë bashkisë, kjo nuk do të vijë nga rritja e ndjeshme e numrit të bizneseve që do jenë subjekt tabele, pasi ato parashikohet të jenë vetëm 2% më shumë se i pritshmi 2015 (nga 46 mijë do rriten në 47 mijë-shiko tabelën në fund).
Me paketën e re fiskale të bashkisë Tiranë, taksa e tabelës për qëllimi identifikuese deri në 2 metra është zero dhe mbi 2 metra bëhet 45 mijë lekë për metër katror në vit. Më parë, tabela për qëllime identifikuese kishte një tarifë vjetore simbolike prej 120 lekësh në vit, pavarësisht sipërfaqes. Pikërisht nga vendosja e kufirit mbi 2 metra rezulton se do të vijnë të ardhurat shtesë.
Taksa e tabelës për reklama mbetet 45 mijë lekë për metër katror në vit, ndërsa ajo e tabelës elektronike dyfishohet nga 45 mijë lekë në 90 mijë lekë për metër katror.
47 mijë biznese, subjekt i taksës së tabelës
Sipas projektbuxhetit të bashkisë “Për periudhën e vitit 2015, sipas informacionit të programit të taksave vendore janë aktive rreth 47,000 subjektë të taksës së tabelës dhe 1.390 subjekte të taksës së reklameë. Por me zgjerimin e teritorit të bashkisë, shtohen dhe tabelat e vendosura në territorin e njësive adminitrative, kryesisht në hapësirat dhe objektet përrreth qytetit ku dhe është numri më i madh i subjekteve me sipërfaqe të mëdha reklamuese, pjesë ekategorise se bizneseve BM dhe VIP.
Nga një llogaritje e përafert na rezulton se nga 10.000 m2 sipërfaqe reklama, kjo sipërfaqe rritet në 15.000 m2, shkak i rritjes edhe të numrit të subjekteve, që dukshëm kanë dhe sipërfaqe të mëdha për tabelën e reklamës”./Monitor