Komedi me gazetarë shqiptarë

338

Çim Peka

Dje dhe sot “Sulltan” Erdogan ka vendosur të pushtojë zyrat e një media lider jo vetëm në Turqi, por më gjerë. “Zaman”, zëri opozitar në Turqi ka bërë për vete jo vetëm kundërshtarët e Erdogan, por edhe apasionantët e opozitarizmit, profesionalizmit, estetikës në dizajnë. Televizionet në Shqipëri kanë imituar jo vetëm programet e TV-ve me emër në botë por edhe studiot. Gazetat jo vetëm dizajnin por edhe rubrikat, e njëjta gjë edhe me portalet. Të gjitha pa përjashtim janë imitacione.
Ne kishim përzgjedhur “Zaman“ për tre arsye:
Kultura e lexuesit tonë nuk është fort e ndryshme nga ajo turke. Dizajni në gjykimin tonë ishte një kombinim estetik fantastik. Momenti kur ne vendosëm të hapnim portalin, “Zaman” ishte shembulli i qëndresës ndaj një regjimi tashmë jo vetëm autokrat por diktatorial.
E bëmë këtë parantezë për të treguar se sa e vlerësojmë “Zaman” si media.
Tani të kthehemi tek thelbi. Sot disa gazetarë shqiptarë janë solidarizuar me “Zaman”. Çfarë do të thotë se janë solidarizuar në mbështetje të lirisë së mediave në Turqi. Komedi, qesharakë, të pavërtetë.
Pse?
Do ishte reagimi më normal në rast se Shqipëria do të ishte një vend që nuk ka probleme madhore me lirinë e mediave. Do të ishte po kaq reagim normal në rast se gazetarët në fjalë do të kishin reaguar për dhunimin e mediave në oponencë me vëllanë e Taipit, Edi Ramën. “Agon Channel” është shembulli më tipik kur shteti vendos të mbyll një media e cila po bënte risi në investime, vetëm pse zbuloi se Erion Veliaj të dielën e martesës kishte fjetur si çdo dhëndër i ri dhe nuk kishte vajtur në punë siç ai pretendonte.
U mbyll pse Adi Krasta nuk pranoi një shpullë në nerva e sipër nga Edi Rama në një darkë miqsh. Për asgjë tjetër. Vetëm për kaq. Dhe qindra gazetarë u hodhën në rrugë. U hodhën në rrugë gazetarët e vetëm në Shqipëri që e merrnin rrogën në “të bardhë” dhe në kohë. Dhe vetëm për arsyet e mësipërme, për asgjë më shumë. Imagjino sikur një media të pretendojë të bëjë më shumë. Kush po i bën oponencë sot Edi Ramës përveç rrjeteve sociale apo ndonjë media online? Askush. E vetmja dileme që kanë mediat e Tiranës është se kujt ti hyn më në zemër, Edi Ramës apo Ilir Metës.
Cili që reagimi i gazetarëve në foton solidarizuese për rastin e “Agon Channel”? Heshtje dhe fërkim duarsh. Heshtje sepse nuk ju bëhet vonë për lirinë e mediave në Shqipëri (në Turqi po), fërkim duarsh sepse dolën të papunë disa kolegë që paguheshin më mirë dhe në kohë nga pronari italian. Prandaj janë komikë, janë qesharak, janë të pavërtetë në këtë solidarizim me “Zaman”.
Nuk e kam votuar asnjëherë Edi Ramën, por kam transmetuar çdo aktivitet të tij në opozitë, e kam ftuar vazhdimisht në emision dhe më ka ardhur kur ishte kryebashkiak dhe shef i opozitës. Më ka refuzuar si kryeministër dhe duke e shantazhuar pronarin e televizionit me “INUK” e mbylli emisionin.
Kam ftuar dhe kam paguar çdo emision dy analistë për të kritikuar madje dhe sharë Sali Berishën kryeministër, për hir të balancës, edhe pse pronarit të televizionit i dukeshin budallenj që nuk thoshin gjë (kuptohet që zotëria biznesmen kishte hallin se mos pezmatohet kryeministri Berisha).
Prandaj pjesë e komedisë së fotografisë së mësipërme nuk ja vlen të bëhesh. Në atë foto ka edhe spekulant që gjithë jetën e tyre si gazetar e kanë kaluar duke drejtuar shoqata gazetarësh fantazmë për të nxjerrë ndonjë donacion, duke lëshuar certifikata false gazetarësh për leke xhepi, apo më keq akoma, duke prodhuar fletërrufe kundër gazetarëve që nuk mendojnë si Edi Rama. Mund të bëhet edhe teatër me solidarizimit për lirinë e mediave në Turqi, por të paktën të njëjtin teatër bëjeni edhe për katastrofën e mediave sot në Tiranë. Hipokrizia në pamundesi të sinqeritetit është e domosdoshme edhe për realitetin e mediave shqiptare. Por për Shqipërinë as teatër nuk pranojnë të bëjnë se kanë frikë mos i keqkupton Edi Rama, Ilir Meta e së fundmi edhe Erion Veliaj.
Edhe një shembull të fundit. Shikoni si po zhgarraviten kundër njëri tjetrit në gazetat e tyre dy botues të njehsuar me mazhorancën e majtë. Kokëdhima i “Shekulli-ZP” me Carlo Bollinon e “Shqiptarja.com”. Për çfarë po kacafyten? Për Erion Veliajn. Bollino është shqetësuar se pse Kokëdhima i Edi Ramës po e bezdis Erion Veliajn po të Edi Ramës.
Ndërkohë Ilir Meta i ka të gjitha mediat në rresht. Ato të Ramës, nga frika se mos ju iken LSI, ato që mashtron si profesionist për mbështetje siç bëri me “Agon Channel” dhe Andi Bejten për një deklaratë në mbështetje të saj, por që së bëri kurrë, dhe ato që janë kundër opozitës. Shkurt të gjitha.
Në fotografin e solidarizimit për lirinë e mediave në Tiranë kush nga gazetarët shqiptar vetëofrohet? Pa për Erdoganin, Putinin, Kim Yongun bëjnë namet të gjithë. Si përfundim kolegë, sot më jeni dukur më qesharakë se Edi Rama me tre lapsat në Paris.