Ekonomia rrëshqet në deflacion, nuk ka konsum sepse s’ka para

269

Ekonomia rrëshqet në deflacion, nuk ka konsum sepse s’ ka para

Krahasuar me shkurtin e 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4,8 %
Inflacioni në muajin shkurt arriti në nivelin më të ulët historik që nga janari i vitit 2003, duke lajmëruar një situatë gati deflacioniste. Megjithë politikën agresive të lehtësimit monetar nga Banka e Shqipërisë dhe shtrëngimin fiskal të qeverisë inflacioni në muajin shkurt shënoi vetëm 0,2 për qind, duke dhëne sinjalet e thellimit të krizës në konsum. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,3 %.
Nga analiza e të dhënave të INSTAT mësohet se, rënia e çmimeve i dedikohet si krahut të ofertës dhe kërkesës. Ulja e e çmimeve të shërbimeve të transportit me 4,1 % me bazë vjetore i dedikohet rënies së çmimeve të naftës, por rënia e çmimeve në disa ushqimeve që nuk kanë lidhje me efektet sezonale tregon se, konsumi po gjendet në krizë.
INSTAT raportoi se, çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë e vezë” u ulën me 6,1 %, pasuar nga nëngrupet “bukë e drithëra” me 2,4 %, dhe mishi me 1,3 %, etj. Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet edhe në grupet “Veshje dhe këpucë” me 3,4 %, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 2,2 %, etj. Krahasuar me muajin janar 2016, rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije alkoolike” me 3,3 %. Ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me 1,3 %.
Krahasuar me muajin shkurt 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4,8 % pasuar nga grupi, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,6 %, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,2 %, etj. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 27,8 %, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet“ me 9,6 %, nëngrupi “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” me 1,5 %, nëngrupi “vajra dhe yndyrna” me 0,2 % etj.
Rritja vjetore në muajin shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,78 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,13 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene e restorante” kanë kontribuar me + 0,03 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me + 0,02 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me -0,27 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,26 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,14 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Komunikimi” kanë kontribuar respektivisht me -0,09 dhe -0,03 pikë përqindje.
Nga ana tjetër, INSTAT bën të ditur se në tremujorin e katërt të 2015 ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Prodhimit është -2,3 %. Uljen më të lartë, sipas raportit, e kanë pasur çmimet e prodhimit në seksionin “ Industri nxjerrëse” me 9,5 %.  Brenda kësaj industrie vihet re ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 15,3 %. Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në aktivitetet e Industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 0,3 %. Ato që kanë pësuar rritje në këtë periudhë kanë qenë çmimet e prodhimit të produkteve kimike me 5,6 %, konfeksionet e veshjeve me 2,7 %, produktet e makinerive dhe pajisjeve me 5,1 %. Ndërsa çmimet e prodhimit të rafinerisë dhe nënprodukteve të naftës kanë shënuar ulje me 3,1 %.