Blushi dhunohet edhe në mbledhjet e Grupit të PS

341

Eduart NDOCAJ

Jam shumë i shqetësuar për gjendjen në PS. Ajo është e trishtueshme, e dhunshme, e pamëshirshme dhe egër.
Vazhdon sulmi i pamëshirshëm kundër Blushit. Të gjithë kundër tij, sikur ai na qenka fatkeqësia e socialistëve, sikur të gjithë të këqijat na paskan ardhur nga Blushi. Madje, edhe dështimet në qeveri dhe problemet në parti i paskemi nga Blushi!!!
Sa e turpshme! Edhe sot, në mbledhjen e Grupit parlamentar të PS të gjithë të pranishmit sulmuan pa mëshirë Blushin!
Përse e sulmuan??? Sepse, ato që thotë Blushi janë të vërteta e të pakontestueshme!
Asnjëri prej anëtarëve të grupit nuk mori guximin të shtrojë për analizë shpërthimin e Blushit!
Ndërhyrjet e sotme në mbledhjen e Grupit parlamentar të PS ishin të gjitha militanteske kundrejt kryetarit, servilizëm kundrejt kryetarit dhe ushtarë të betuar të kryetarit.
Blushi ka një kontribut shumë të rëndësishëm në PS.
Ai s’e bën këtë për egoizëm personal, por edhe nëse e bën është krejt legjitime dëshira e tij për të bërë karrierë.
Blushi po kërkon të bëjë karrierë përmes konkurrimit, debatit, platformës dhe eksperiencës së tij si një senator i vjetër i PS.
Ndjehem i trishtuar se si Blushi sulmohet nga anëtarët e grupit parlamentar, pse ai ka guxim të thotë të vërtetat e mëdha në sy.
Sa keq!!! Shokët e tij, kolegët e tij, miqtë e tij për servilizëm dhe interesa qorre po e tradhtojnë atë në momentin më kritik të PS.
Askush nuk del e të marrë guximin të thotë se: Blushi duhet dëgjuar! Kaq e vështirë është të dëgjojmë një figurë si Blushi!
Blushi ndjehet i dhunuar politikisht, moralisht dhe mbi të gjitha edhe fizikisht.
Ai dhunohet në sallë dhe në mbledhjen e Grupit parlamentar të PS. Askush nga anëtarët e saj nuk del në mbrojtje të tij qoftë edhe në planin njerëzor.
Ky sulm e forcon edhe më shumë Blushin, sepse i vetëm po reagon e lufton kundër të gjithëve.
Madje, po sponsorizojnë mediatikisht për ta përjashtuar Blushin.
A thua problemi i të gjithëve na qenka pse e kemi akoma Blushin në mesin tonë?!
Pra, jemi të gatshëm të kemi një vlerë më pak! A thua sikur kemi vlera me shumicë?! A thua sikur PS në këto momente ka privilegjin të zgjedhë e të përzgjedhë! Ja e përjashtuam Blushin! Çfarë ndodh? A marrin fund kritikat?
Jo!!! PS po kalon një moment të vështirë dhe problemi nuk është Blushi!
Problemi jemi të gjithë ne që po e tolerojmë degjerimin e situatës në një skenë prej Koresë së Veriut.
A thua partia ka vendosur ta fusë Blushin në një kafaz me qenë të uritur?
Apo mos vallë partia ka vendosur t’i bëjë një proces të madh për ta ndëshkuar se e ka mendjen dhe penën shumë të avancuar!
Në këto momente të vështira që po kalon PS u bëj thirrje të gjithë figurave të rëndësishme që ka pasur PS që nga viti ’90 e deri më sot të përfshihen në këtë proces qoftë edhe përmes mendimeve dhe opinioneve.
Në këto momente të shterura me opinione, kemi shumë nevojë për ta! Shpresoj e ftoj të gjithë kolegët e Grupit parlamentar të reflektojmë e t’i marrim më shtruar dhe me qetësi proceset dhe problematikat.