Bashkia Kamëz: Ja projektet për vitin 2016 për Paskuqanin

405

Përmirësimi i infrastrukturës urbane të Paskuqanit është një ndër përparësitë e Bashkisë Kamëz për vitin 2016. Duke qenë buxheti i parë që përfshin këtë zonë, Bashkia ka përqendruar vëmendjen në urbanizimin e mëtejshëm të saj. Kështu, dhjetëra investime do të financohen nga buxheti i këtij viti, projekte me cilësi bashkëkohore dhe me ndikim të gjerë social. Realizimi i tyre do të rrisë dukshëm cilësinë e jetesës së qytetarëve të Paskuqanit, për vetë faktin se, projektet e hartuara kanë të bëjnë me fusha jetike, si: infrastruktura rrugore, e kanalizimeve, arsimore etj.

Në Paskuqan projektet të cilat janë parashikuar të financohen nga buxheti i Bashkisë Kamëz për vitin 2016 janë ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura në rrugën “Ibrahim Xhelo” në lagjen Paskuqan 2, ndërtimi i rrjetit të KUN në rrugën “Ibrahim Rugova” në Paskuqan 1, rikualifikim urban i bllokut Babrru-Qendër, rehabilitimi i rrugës “Demokracia”, ndërtimi i rrugës Paskuqan 2 – Vresht (vazhdim loti III) si dhe kanalizimet e ujërave të bardha në lagjen Paskuqan 2, rikonstruksioni dhe riparime te shkolla fillore dhe kopshti “Vëllazërimi” në Babrru, riparime, KUB dhe KUN te shkolla 9-vjeçare “Jashar Hoxha” në lagjen Paskuqan 2, riparime, kanalizime të ujërave të bardha, si dhe rrugicë betoni te shkolla 9-vjeçare “Dom Nikollë Kaçorri” në Babrru, riparime dhe KUB te shkolla 9-vjeçare “Tahir Sinani” në Kodër të Kuqe, rrethimi i varrezave të vjetra publike në Babrru-Kodër, riparim shtresash te ura në Fushë-Kërçik, si dhe rruga para shkollës “Vëllazërimi”, rehabilitimi i lumit të Tiranës, lirimi i hapësirave publike etj.

Këto investime janë pjesë e rëndësishme e vlerësimit që Bashkia ka marrë në tërësinë e saj për të vazhduar me përpjekje zbatimin e politikave përmirësuese të jetës së qytetarëve. Kjo nuk lë pa përfshirë edhe mbështetjen për projekte të tjera zhvillimi si në fushën e gjelbërimit, në krijimin e ambienteve çlodhëse për fëmijët dhe moshat e ndryshme, kënde lojërash, ambiente argëtimi për të rinjtë e të rejat etj. Kjo është puna e sapofilluar që Bashkia Kamëz ka në vizionin e saj për ndryshimin e vazhdueshëm që po merr qyteti në kuadrin e zbatimit të reformës administrative-territoriale.